DËSHTIMI I ZGJEDHJES SË PRESIDENTIT/ Rrustemi: Zgjedhjet e reja sjellin kosto shtesë, humbje për shtetin

Në një lidhje për Ora News, foli deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili komentoi situatën politike në Kosovë pas dështimit për zgjedhjen e presidentit dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas tij, situata aktuale është një tregues i qartë i bllokimit institucional që po zgjat prej kohësh në vend.

“Është një lajm i keq. Destabiliteti institucional që po e shoqëron Kosovën nuk është vetëm i këtij viti, por edhe i vitit të kaluar. Kjo është një humbje për shtetin dhe për funksionimin normal të institucioneve.”-tha Rrustemi.

Ai shton se nuk ka një arsye të fortë që shpjegon dështimin për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se kjo situatë po sjell pasoja edhe në aspektin financiar.

“Zgjedhjet sjellin kosto të reja për buxhetin e Kosovës dhe krijojnë humbje edhe në raport me projektet ndërkombëtare, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.”-shtoi ai. 

Rrustemi vlerëson se zgjedhjet e reja nuk garantojnë zgjidhje të krizës, pasi zgjedhja e presidentit kërkon shumicë të kualifikuar në Kuvend, që mbetet sfidë për partitë politike.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: