Bytyçi: Opozita në Kosovë kërkon të rrëzojë shtetin për llogari të Beogradit, situatën e krijuar as vetë Serbia nuk e kishte imagjinuar

Dështimi për të zgjedhur presidentin e ri të vendit e ka zhytur Kosovën në një krizë të thellë politike, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në një analizë të situatës, në "Ora News", analisti Enver Bytyçi theksoi se ky ngërç politik është një “problem i krijuar artificialisht me qëllim të caktuar për të dobësuar institucionet dhe shtetësinë e Kosovës”.

Sipas kësaj analize, shkuarja në zgjedhje nuk paraqet një zgjidhje afatgjatë, pasi asnjë parti politike nuk mund të sigurojë e vetme kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh për të zgjedhur kreun e shtetit, duke rrezikuar kështu një cikël të pafundmë krizash.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës se Lëvizja Vetëvendosje po kërkon të kapë të gjitha pushtetet, analisti argumenton se këto pretendime nuk justifikohen. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti i ofroi opozitës poste të rëndësishme, përfshirë kryetarin e parlamentit, një post zëvendëskryeministri dhe katër ministri, oferta të cilat u refuzuan si nga Partia Demokratike, ashtu edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

"Sigurisht që dita e djeshme ishte një ditë jo e mirë për Kosovën.

Dështoi zgjedhja e presidentit ose presidentes së vendit.

Partitë politike nuk mundën të gjejnë një konsensus të përbashkët për t'i dhënë vendit kreun e shtetit.

Për pasojë, Kosova sot është ndryshe nga që ishte dje. I është hapur rruga zgjedhjeve të reja parlamentare dhe shkuarja në zgjedhje, në rastin konkret, nuk është një ogur i mirë për shkak se sado herë që bëhen zgjedhje në Kosovë, ato nuk do të japin zgjidhje për të dhënë një kuorum, për të dhënë një numër deputetësh në parlamentin e Kosovës i cili të mund të zgjedhë edhe presidentin e Republikës, sepse me kushtetutën e vendit parashikohet që në seancën parlamentare të paktën të jenë të pranishëm në votimin e fundit 2/3 e deputetëve, domethënë 80 deputetë, gjë që asnjë parti politike nuk mund t'ia arrijë një numër kaq të madh deputetësh në zgjedhjet që zhvillohen në muajin qershor, besoj.

Kështu që unë mendoj që zgjedhjet nuk janë zgjidhje dhe duke mos qenë zgjidhje, është një problem që është krijuar në Kosovë artificialisht dhe me qëllim të caktuar për të dobësuar institucionet dhe shtetësinë e Kosovës.

Ka një problem. Është ndryshe retorika dhe ndryshe, ndryshe është veprimi politik. Sigurisht që Albin Kurti ka tentuar deri në momentin e fundit që ta ketë edhe ai presidentin e Republikës, domethënë mazhoranca e tij.

Realiteti është se Albin Kurti thashë ka synuar ta ketë presidentin e vendit.

Për këtë arsye i ka dhënë partive opozitare kryetarin e parlamentit, zëvendëskryeministrin dhe katër ministri.

Por partitë opozitare, si Partia Demokratike ashtu dhe Lidhja Demokratike nuk i kanë pranuar këto oferta të Albin Kurtit.

Për pasojë, që në momentin që kryeministri ka ofruar disa pozicione në qeveri dhe kryetarin e parlamentit, nuk justifikohet akuza sipas të cilës kryeministri kërkon që t'i ketë në dorën e tij të gjitha pushtetet.

Së dyti, kryeministri dy ditë para përfundimit të afatit të zgjedhjes së presidentit, i ofroi opozitës që të propozonte tre kandidatura dhe njërën prej tyre do ta zgjidhte ai, do ta votonte për president të Republikës.

As Partia Demokratike e Kosovës e zotit Hamza, as Lidhja Demokratike e zotit Abdixhiku nuk pranuan që të propozojnë kandidatë të, kandidatët e tyre për t'u zgjedhur president të vendit.

Kështu që Albin Kurti nuk kishte rrugë tjetër përveçse të nxirrte kandidaturat e tij për t'i votuar, por që ai nuk kishte kuorumin e nevojshëm për votat dhe vendi do të shkonte patjetër në zgjedhje.

Pyetja është, pse opozita nuk kandidoi tre emra me qëllim që t'i jepte Kosovës sot presidentin e vendit?

Sepse, qëllimi kryesor i opozitës është që vendi të destabilizohet, që vendi të mos ketë institucione, që vendi të shkojë në zgjedhje pas zgjedhjesh.

Dhe për pasojë, të dobësohen institucionet, të dobësohet shtetësia e Kosovës dhe të realizohen ato objektiva që ka vënë Beogradi për shkatërrimin e Kosovës si qenie shtetërore.

Për mendimin tim, nuk ka patur asnjë arsye që opozita të mos japë emra për t'u zgjedhur si president të Republikës, përveçse, përveçse ambicieve personale të njerëzve të ndryshëm brenda opozitës, të cilët nuk dhanë emra sepse don, secili donte të bëhej president i vendit.

Siç thotë, mendoj unë, kryeministri Kurti dhe mazhoranca janë, nuk mund të fajësohen për krizën e sotme. Sigurisht edhe ata kanë ambiciet e veta. Edhe ata luftojnë që të kenë të gjitha pushtetet.

Në fund të fundit, një lloj legjitimiteti e kanë sepse kanë fituar mbi 50% të votave të sovranit, të popullit.

Por gjithsesi mazhoranca bëri lëshimin e saj. Duke bërë lëshimin e saj, dëshmoi se nuk ishte e interesuar të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Dëshmoi se kishte një lloj përgjegjësie, ndoshta jo maksimale, për institucionet e vendit dhe funksionimin e shtetit të Kosovës. Për pasojë, opozita duhet ta lexonte mirë propozimin e kryeministrit Kurti. Duhet të propozonte tre kandidatura.

Ndoshta duhet të propozonte dhe 13 kandidatura po t'ia kërkonte mazhoranca. Sepse në fund të fundit të 13 kandidaturat që kërkonte mazhoranca ishin të opozitës", u shpreh Bytyçi.

Ndiqni intervistën e plotë: