Finalja e titullit, shtyhet dueli Skënderbeu-Laçi

Ndeshja më e rëndësishme e sezonit në Kategorinë e Parë, ajo mes Skënderbeut dhe Laçit, ka pësuar një ndryshim në kalendar.

Sfida që do të përcaktojë titullin kampion nuk do të luhet më 3 maj, siç ishte parashikuar, por është shtyrë me një ditë. Përballja finale do të zhvillohet të hënën, më 4 maj, në orën 17:00 në stadiumin e Korçës.

Vendimi për shtyrjen është marrë me qëllim që kjo supersfidë të ketë vëmendjen maksimale të opinionit sportiv, duke u luajtur si ndeshja e vetme e ditës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, klubi i Skënderbeut ka bërë thirrje për mbështetje masive nga tifozët, duke e cilësuar këtë përballje si "Finalen e Madhe" që duhet të kthejë trofeun në qytetin e Korçës.

Kujtojmë se pas barazimit të Skënderbeut në Pogradec, diferenca mes dy ekipeve është vetëm një pikë, duke e bërë këtë 90-minutësh vendimtar për fatet e sezonit.