MODRIÇ OP*ROHET PAS FRAKTURËS/ Mesfushori kroat pritet të mungojë në fazën vendimtare të sezonit.
Luka Modriç është operuar pas një dëmtimi në fytyrë gjatë një ndeshjeje me Milanin. Mesfushori kroat pritet të mungojë në fazën vendimtare të sezonit.
Një dëmtim i rëndë ka goditur Milanin në një moment vendimtar të sezonit, pasi mesfushori Luka Modriç ka pësuar frakturë në kockën zigomatike të majtë dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Lajmi u konfirmua nga klubi kuqezi, i cili bëri të ditur se lojtari kroat u dëmtua gjatë një përplasjeje të pavullnetshme në fushë, teksa tentonte të godiste topin me kokë dhe u godit nga Manuel Locatelli.
Incidenti ndodhi gjatë një aksioni loje, ku Modriç u detyrua të largohej menjëherë nga fusha për shkak të dhimbjeve. Ekzaminimet mjekësore zbuluan një frakturë komplekse në pjesën e majtë të fytyrës, duke bërë të domosdoshëm ndërhyrjen kirurgjikale në një kohë të shkurtër. Operacioni u krye në klinikën “La Madonnina” në Milano nga një ekip i specializuar mjekësh, nën drejtimin e doktor Luca Autelitano, në prani të stafit mjekësor të klubit.
Sipas komunikatës zyrtare, ndërhyrja rezultoi e suksesshme dhe lojtari ndodhet në gjendje të stabilizuar, ndërsa pritet një periudhë rikuperimi që do të përcaktojë edhe kohën e kthimit të tij në fushë. Klubi i Milanit i uroi një shërim të shpejtë mesfushorit, duke theksuar rëndësinë e rikthimit të tij jo vetëm për ekipin, por edhe për angazhimet ndërkombëtare të ardhshme.
Dëmtimi i Modriç vjen në një fazë kritike të kampionatit, kur skuadra është e angazhuar në garën për objektivat sezonalë. Mungesa e tij pritet të ndikojë në balancën e ekipit në mesfushë, ndërsa trajneri Massimiliano Allegri do të duhet të gjejë alternativa për të përballuar ndeshjet e mbetura. Mbetet për t’u parë se sa do të zgjasë rikuperimi dhe nëse lojtari do të jetë gati për eventet e rëndësishme që e presin në vijim.
