STANDARDIZIMI I STATISTIKAVE NË DREJTËSI/ Gogu: Do dimë kohëzgjatjen e një çështje, kur duhet të ndërhyjmë
Çdo çështje gjyqësore do të ketë një kod të unifikuar, i cili do të mundësojë ndjekjen e saj në çdo shkallë të sistemit të drejtësisë, duke shmangur humbjen, zvarritjet apo regjistrimin e ndryshëm të së njëjtës çështje nga institucione të ndryshme.
Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë ka firmosur me institucionet e pavarura një marrëveshje për standardizimin e statistikave në sistemin e drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, sqaroi se me këtë sistem do të bëhet e mundur të dihet me saktësi kohëzgjatja e një çështjeje, kur krijohet stoku dhe kur duhet ndërhyrë.
Ai nënvizoi se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në institucionet e pavarura, por për krijimin e një gjuhe të përbashkët të të dhënave, që mundëson analiza dhe politika më të sakta.
Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, vlerësoi miratimin e kuadrit për unifikimin e statistikave gjyqësore nga Ministria e Drejtësisë, por shtoi se ky hap nuk është i mjaftueshëm.
Sipas tij, duhet të përmbushen pritshmëritë e qytetarëve dhe të ketë angazhim të plotë të institucioneve për harmonizim në tre fusha kryesore: mbledhja, publikimi dhe zbatimi i të dhënave. Ai shtoi se ka disa çështje sistematike që ndikojnë të gjithë sistemin e drejtësisë dhe që mund të trajtohen vetëm përmes analizës së saktë të të dhënave, ku efikasiteti mbetet një nga elementët kryesorë.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, solli në vëmendje zhvillimet më të fundit në sistemin e prokurorisë, duke theksuar se një sistem i ri për përpunimin e të dhënave do të integrohet me menaxhimin e çështjeve dhe pritet të përfundojë brenda vitit 2026.

