VIDEO/ Zbardhet atentati ndaj çiftit Mujeci në Lezhë, kryepolici Nasufi: Vr*sja, për gjakmarrje. Autorët ende në arrati (EMRAT)

Një ditë pas ekzekutimit të çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci në Balldren, Policia e Lezhës ka identifikuar dy automjete që dyshohet se u përdorën nga autorët.

Policia ka identifikuar 3 autorët e vrasjes, të cilët janë shpallur në kërkim, ndërsa arsyeja e kryerjes së krimit është hakmarrja. Me njërin automjet, autorët kanë bërë vëzhgimin e shënjestrës ndërsa automjeti tjetër pa targa u ka prerë rrugën nga ku dhe është qëlluar me breshëri armësh.

“Adriano Mhillaj, 22 vjeç, Florin Mhillaj , 36 vjeç dhe Renato Mhillaj , 23 vjeç banues në Lezhë. Nga dinamika e ngjarjes automjeti tip Audi A4 ka mbajtur në vëzhgim lëvizjet e dhe një tjetër automjet i tipit Volsëagen i ka prerë rrugën Kreshnik Mujecit dhe bashkëshortes së tij dhe personat që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh. Nga veprimet e mëtejshme hetimore, vrasja ka ndodhur për gjakmarrje. Pasi identifikimit, janë ushtrua kontrolle ën disa banesa, por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre”, tha ndër të tjera Arben Nasufi.

Deklarata e plotë e drejtorit të Policisë Lezhë Arben Nasufi

Faleminderit për praninë tuaj sot, për të përcjellë te qytetarët, rezultatin e angazhimit maksimal të strukturave të Policisë, me qëllim zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Balldren, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, çifti i bashkëshortëve, shtetasit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci. 

Më datë 26.04.2026, rreth orës 14:50, në rrugën “Balldren-Torovicë”, nga shtetas të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi Kreshnik Mujeci. 

Me marrjen e njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe ato të emergjencës. 

Për të hetuar dhe zbardhur ngjarjen, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda të DVP Lezhë, Departamentit të Policisë Kriminale, si dhe ekspertët më të mirë kriminalistë, të cilët në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar intensivisht veprimet hetimore në vendin e ngjarjes dhe një sërë veprimesh të tjera me metoda proaktive, në funksion të zbardhjes dhe dokumentimit të plotë ligjor të saj. 

Hetimet kanë vijuar me këqyrjen  dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike mbi intinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, analizimin e çdo prove materiale dhe si rezultat është identifikuar njëri prej automjeteve të përdorura nga autorët, i markës “Audi A4”. 

Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, analizimit të çdo prove që lidhej me ngjarjen, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i shtetasve:

-A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë. 

Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volksëagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje. 

Hetimet vazhdojnë në mënyre intensive, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Përsa i përket autorëve, pas identifikimit të tyre, nga ana e strukturave policore janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera,  por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim.

Operacioni vijon në terren, ku janë përshirë Forcat Speciale “RENEA”, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me qëllim lokalizmin dhe kapjen e tyre.

Gjithashtu, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve dhe të armëve të zjarrit që janë përdorur për të kryer vrasjen.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë është maksimalisht e angazhuar për  garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe në këtë kuadër fton qytetarët, që të besojnë dhe të mbështesin më shumë strukturat policore, duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë.