Betohet Presidenti i Iranit. Izraeli: Ndryshoi Presidenti, jo qëllimet e regjimit

Presidenti i ri i Iranit, kleriku i moderuar musliman Hassan Rouhani, bëri betimin para parlamentit sot, duke bërë thirrje për dialog me perëndimin dhe pakësimin e "antagonizmit dhe agresionit."Një ditë pasi ai u konfirmua zyrtarisht në post nga Ayatollah Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit, zoti Rouhani tha se vendet rivale "duhet të flasin me Iranin përmes gjuhës së respektit dhe jo gjuhës së sanksioneve."Të paktën 11 presidentë të huaj ishin të pranishëm në ceremoninë e betimit të Ruhanit, në Parlament, apo Maxhlis. Presidenti i Sudanit, Omar Al Bashir, nuk mundi të jetë i pranishëm në ceremoni.Ai kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit. Arabia Saudite nuk lejoi avionin me Omar Al Bashur të hynte në hapësirën e saj, duke e detyruar të kthehej në Kartum.Ai premtoi të luftojë korrupsionin dhe të gjitha format e diskriminimit duke thënë se populli ka kërkuar reforma, ndryshim dhe prosperitet përmes votës në zgjedhje.Kleriku 64 vjeçar fitoi me lehtësi ndaj rivalëve konservatorë në zgjedhjet e qershorit. Ai ka premtuar të ndjek politika më pak konfliktuale me jashtë për të lehtësuar sanksionet ndërkombëtare mbi ekonominë e Iranit për shkak të politikave të tij bërthamore.Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney u përgjigj brenda pak orëve duke thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me qeverinë e zotit Rouhani në se ajo është serioze për bashkëpunim.Ndërsa Izraeli përmes kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu deklaroi se Presidenti i Iranit ndryshoi, por jo qëllimet e regjimit.“Presidenti i Iranit ka ndryshuar, por qëllimet e regjimit nuk kanë ndryshuar, kanë mbetur të njëjta. Qëllimi i Iranit është të zhvillojë aftësinë dhe armën bërthamore. Qëllimi është të shkatërrojë shtetin e Izraelit dhe kjo përfaqëson një rrezik, jo vetëm për ne, apo Lindjen e Mesme, por për të gjithë botën. Ndaj dhe ne jemi të angazhuar për ta parandaluar këtë”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.