Spahiu: Përmbysja e Tiranës ishte vetëm fillimi, Partizani tashmë rrezikon gjithçka
Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit justifikoi plotësisht pritshmëritë e mëdha, duke u kthyer në një ndeshje që do të mbahet mend gjatë jo vetëm për rezultatin, por edhe për dramaturgjinë e saj.
Bardheblutë arritën një fitore me përmbysje, e cila ishte plotësisht e merituar, ndërsa për “demat e kuq” kjo humbje thellon krizën dhe vë në rrezik serioz objektivat sezonalë.
Për të folur më tepër për këtë temë, i ftuar në emisionin "Ora Sport", në "Ora News", ishte Ekrem Spahiu, i cili u shpreh se ndeshja u prit me një interes të jashtëzakonshëm nga të gjithë sportdashësit shqiptarë, duke dëshmuar edhe një herë se mbetet eventi kryesor i kampionatit. Atmosfera e krijuar nga të dyja tifozëritë ishte elektrizuese dhe shërbeu si një motivim maksimal për lojtarët në fushë. Fitorja e Tiranës u vulos sidomos në pjesën e dytë, e cila u cilësua si “jashtëzakonisht e bukur” dhe me të gjithë elementët e një ndeshjeje të madhe.
" Realisht është në ndeshjet e pakta, mos me thënë e vetmja që pritet me një interes shumë të madh, jo vetëm nga tifozëria e Tiranës dhe e Partizanit, po në përgjithësi të gjithë sportdashësit mezi se e presin derbin.
Dhe kjo ndeshje e justifikoi më së miri këtë interesim të madh.
Dhe atmosfera që krijojnë tifozeritë e dy ekipeve, reflekton edhe te lojtarët dhe realisht lojtarët motivohen në maksimum përballë asaj tifozerie që i mungon shumë kampionatit shqiptar. Tirana e meritoi plotësisht fitoren, sidomos pjesa e dytë për mendimin tim ka qenë jashtëzakonisht e bukur, me të gjitha elementët që mund të ketë një ndeshje që t'i thuhet e bukur.
Dhe sidomos me ndërrimet që bëri trajneri Shehi, rezultuan me shumë sukses dhe përmbysën rezultatin për t'i dhënë fitoren Tiranës. Dhe Tirana absolutisht ka ndryshuar rrënjësisht pas, trajneri i katërt domethënë, me fillimet e vështira që në fillim, me gjithë atë investim që ka bërë presidenti Halili po nganjëherë nuk të ecën.
Dhe rikthimi i Shehit i dha një frymëmarrje ekipit të Tiranës, krijoi një harmoni, mblodhi lojtarët që ishin në fund të tabelës, dhe mund të themi që Tirana tash është në ngjitje e sipër. Ndërsa Partizani është disa ndeshje që realisht ka rënë nga ajo formë që kishte shtatë-tetë ndeshje, dhe mendoj që është vënë në rrezik edhe vendi i katërt tashmë që nesër do luajë edhe Dinamo", u shpreh Spahiu.
Ndiqni emisionin e plotë:
