VIDEO/ Çmenduri në "Air Albania", Tirana përmbys Partizanin dhe shton shanset për mbijetesë
Tirana ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në derbin e kryeqytetit, duke mposhtur Partizanin me rezultatin 2-1 në një ndeshje plot emocione, përmbysje dhe tension deri në sekondat e fundit.
Sfida nisi më mirë për të kuqtë, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 22-të me golin e Hjumën, pas një aksioni të shpejtë në krahun e djathtë që çoi në finalizimin e saktë brenda zonës.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të Partizanit, por Tirana u kthye më agresive në pjesën e dytë dhe rriti ndjeshëm presionin në kërkim të barazimit.
Barazimi erdhi në minutën e 65-të, kur Kreshiç shënoi me kokë pas një harkimi të saktë nga Alvarez, duke ndezur stadiumin dhe kthyer bardheblutë në lojë.
Tirana nuk u ndal me kaq dhe vazhdoi të sulmojë, duke kërkuar golin e fitores me këmbëngulje dhe intensitet të lartë në çdo aksion.
Në minutën e 84-t, Alvarez u kthye në hero të ndeshjes, duke realizuar një goditje dënimi spektakolare që përfundoi në rrjetë, duke përmbysur rezultatin në 2-1.
Fundin e ndeshjes Partizani e mbylli me protesta dhe raste të diskutueshme, por pa arritur të ndryshojë fatin e derbit, i cili u mbyll me triumfin e Tiranës.
Me këtë fitore, bardheblutë afrohen më shumë me objektivin e mbijetesës, ndërsa Partizani humb terren në garën për një vend në “Final Four”, duke e bërë fundin e sezonit edhe më dramatik në Superiore.

