Skandal në Itali: Shefi i gjyqtarëve nën hetim për manipulim të VAR-it
Futbolli italian është përfshirë nga një tjetër stuhi polemikash, pasi drejtuesi i gjyqtarëve në Serie A dhe Serie B, Gianluca Rocchi, ka përfunduar në qendër të një hetimi të rëndë.
Sipas mediave italiane, ai dyshohet për “pjesëmarrje në mashtrim sportiv”, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin e vendimeve të VAR-it.
Raportimi fillestar erdhi nga agjencia “AGI” dhe u konfirmua më pas nga “La Gazzetta dello Sport”, duke i dhënë çështjes jehonë të gjerë në opinionin sportiv.
Hetimi ka nisur pas një ankese të bërë në maj 2025 nga ish-asistenti Domenico Rocca, i cili denoncoi ndërhyrje të mundshme në procesin e vendimmarrjes së gjyqtarëve.
Fillimisht, rasti ishte arkivuar nga drejtësia sportive, por zhvillimet e fundit e kanë çuar atë në një nivel penal. Prokurori i Milanos, Maurizio Ascione, po heton disa episode të dyshimta, kryesisht nga sezoni 2024-2025.
Një nga rastet më të diskutuara lidhet me ndeshjen mes Udineses dhe Parmës, ku një vendim për penallti ndryshoi rrjedhën e lojës.
Sipas raportimeve, zyrtarët e VAR-it ndryshuan qëndrim në mënyrë të papritur, ndërsa dyshohet se Rocchi ka ndërhyrë fizikisht për të ndikuar në vendim.
Po ashtu, në lupën e hetimit është edhe një incident i mëhershëm në sfidën Inter – Verona, ku një faull i dyshimtë i Alessandro Bastoni nuk u sinjalizua nga VAR-i, duke shkaktuar pasoja për arbitrin përgjegjës.
Këto zhvillime kanë tronditur besimin në sistemin e arbitrimit në Itali, ndërsa priten me interes rezultatet e hetimit që mund të kenë pasoja të mëdha për futbollin italian.

