Sabastian Sawe thyen rekordin botëror në Maratonën e Londrës

Sabastian Sawe i Kenias ka hyrë në historinë e atletikës botërore duke u bërë personi i parë që përfundon një maratonë zyrtare nën kufirin e dy orëve, raportoi AP.

Në një moment të jashtëzakonshëm dhe të paimagjinueshëm më parë në sport, Sawe theu rekordin botëror të garës së meshkujve me plot 65 sekonda, duke triumfuar sot në Maratonën e Londrës me kohën 1 orë e 59 minuta dhe 30 sekonda.

Në mënyrë mbresëlënëse, edhe vendi i dytë u përfshi nën kufirin e dy orëve, ku etiopiani Yomif Kejelcha u rendit i dyti me kohën 1:59:41, në maratonën e tij të parë në këtë distancë.

Ndërkohë, ugandezi Jacob Kiplimo vendosi një tjetër rekord të rëndësishëm – duke përmirësuar kohën e mëparshme botërore — me shtatë sekonda, duke përfunduar garën në 2:00:28.

Në një paraqitje spektakolare, Sawe përshpejtoi ritmin në pjesën e dytë të garës, duke përshkuar gjysmën e dytë të maratonës në 59 minuta e 1 sekondë.

Ai u shkëput nga Kejelcha pas kilometrit të 30-të dhe më pas realizoi shkëputjen përfundimtare në dy kilometrat e fundit, duke sprintuar drejt finishit në vijëzimin final të garës, mes duartrokitjeve të forta.

Thyerja e barrierës prej dy orësh në maratonë ishte një objektiv afatgjatë në atletikë dhe është arritur më parë vetëm në mënyrë jozyrtare.

Në vitin 2019, Eliud Kipchoge e realizoi këtë arritje në Vjenë gjatë sfidës së organizuar “1:59 Challenge”, e cila u zhvillua në kushte të kontrolluara, me pistë të përshtatur dhe rrethana të optimizuara për performancën.