Islam Dudaev shpallet nënkampion Europe në Tiranë, mundet në finale nga Magomedov

Kampionati Evropian i Mundjes që po zhvillohet në Tiranë i ka dhënë Shqipërisë një tjetër medalje të rëndësishme, teksa Islam Dudaev është shpallur nënkampion Europe.

Mundësi kuqezi nuk arriti të sigurojë medaljen e artë, pasi u mposht në finale nga Bashir Magomedov në kategorinë deri në 65 kilogramë, stil i lirë. Dueli përfundoi me rezultatin e thellë 10-0, me Magomedov që dominoi plotësisht takimin, duke mos i lënë hapësira kundërshtarit për reagim.

Pavarësisht humbjes në finale, suksesi i Islam Dudaev mbetet një arritje e madhe për sportin shqiptar, duke i siguruar vendit medaljen e argjendtë në një kompeticion të rëndësishëm kontinental.

Falë këtij rezultati, ai do të përfitojë edhe shpërblimin prej 4 milionë lekësh të rinj nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.