Përmbysje spektakolare në derbi, Lekbello: Tirana merr tri pikë 'të arta' dhe ndez garën për play-off
Derbi mes Tiranës dhe Partizanit i ka tejkaluar pritshmëritë, duke ofruar një spektakël të vërtetë futbolli, me ritëm të lartë, gola dhe një atmosferë elektrizuese nga një stadium i mbushur plot.
Në fund, ishin bardheblutë ata që triumfuan, duke marrë një fitore me peshë të madhe për objektivat e sezonit.
Fitorja e Tiranës ishte produkt i këmbënguljes dhe impenjimit maksimal të treguar në fushën e lojës. Të ndodhur në një pozicion ku pikat ishin jetike, skuadra kryeqytetase tregoi karakter dhe arriti të merrte atë për të cilën kishte hyrë në fushë: tri pikët e arta.
Nga ana tjetër, për Partizanin mbetet shija e hidhur e një ndeshjeje të keqmenaxhuar.
Për të folur më tepër për këtë temë, i ftuar në emisionin "Ora Sport", në "Ora News", ishte Artur Lekbello, i cili u shpreh se këto tri pikë janë jetike për Tiranën, pasi e fusin fuqishëm në garën për një vend në fazën play-off. Situata në renditje bëhet edhe më interesante, pasi Tirana barazohet me pikë me Ballshin, duke paralajmëruar një luftë të ashpër sportive deri në fund të sezonit për kualifikim. Në këtë garë nuk duhet përjashtuar as Vora, e cila gjithashtu pretendon një vend mes më të mirëve.
"Këndvështrimin tim, unë do të them që një derb që arriti shumë gjëra që i takojnë një një derbi, domethënë, një derb që shpalosi shumë mirë një lojë ritmike, për mua, një lojë që pati lëvizshmërinë e të gjithë sektorëve të fushës, si nga dy ekipet.
Por mbi të gjitha është për të thënë një bravo për Tiranën, për këmbënguljen, për impenjimin e saj.
Sigurisht që e detyronte dhe pozicioni i saj, i duhej pika. Dhe një keqmenaxhim i lojës nga ana e Partizanit, gjë që i erdhi fitorja në pjesën e parë dhe duhet, duhet ta menaxhonte pjesën e dytë. Për të mbajtur atë rezultat e ndoshta pse mos të shënonte. Këtu nuk flas si ish-sportist i Partizanit, flas për atë që pashë në lojë.
Një derb që na dhuroi gola, një derb që na dhuroi atë spektakël që thashë më parë, po një derb që pamë që u mbush stadiumi dhe kjo ishte një kënaqësi, një tifozeri shumë e zjarrtë nga të dy anët, gjë që bëri të mundur dhe atë ekzekutim të lojës.
Unë do të gjykohesha që Tirana mori atë që kishte hyrë në fushë. Mori atë tre pikësh të artë që për vetë pozicionin që ka, ajo lufton për mbijetesën e saj. Të paktën tashi, mund të them, jo mund të them, po them që mund të jetë deri te play-off-i", u shpreh Lekbello.
Ndiqni emisionin e plotë:
