FOTO-REPORTAZHI/ Në Mezhgoran, fshatin në këmbë të Shëndëllisë me pamje nga Vjosa
Në këmbë të malit të Shëndëllisë, fshati Mezhgoran mund të cilësohet me plot të drejtë si fshati me pamje nga Vjosa.
Në krah ngrihet madhështor mali i Trebeshinës, përballë majat e Golikut, të vargmalit të Lunxhërisë e deri Nemërçka, ndërsa poshtë shtrihet përrallore lugina e Vjosës, me grykën e Këlcyrës dhe me gjurmën e bardhë të lumit të fundit të egër në Europë.
Fshati i njohur për betejën e luftës antifashiste nacionalçlirimtare të 2 korrikut 1943 kundër forcave pushtuese, ku ra dëshmor Heroi i Popullit, Asim Zeneli mbetet i pazbuluar në krahasim me fshatrat e tjerë të zonës, ku Peshtani në shpatin përballë të Golikut ka njohur zhvillim në turizmin malor dhe agroturizëm.
Mezhgorani ndodhet rreth 15-20 minuta larg qytetit të Tepelenës. Rruga që të çon në fshat degëzohet nga aksi kryesor Tepelenë-Këlcyrë.
Në Mezhgoran gjithçka ka mbetur si një pikturë e së kaluarës, por kjo në pamje të parë.
Rruga e re, e hapur në kuadër të projektit “Rrugë të Bardha”, tregon se gjërat po lëvizin, dhe banorët e kanë ndjerë këtë.
Mes shtëpive të braktisura, disa prej të cilave të rrënuara, duken investimet e para me shpresën se për pak kohë fshati do të marrë vëmendje, do të vijnë vizitorë e do të lëvizë ekonomia lokale që aktualisht mbahet vetëm me blegtori.
Edhe pse i njohur në të kaluarën para viteve ’90 për kultivimin e grurit dhe të misrit, mungesa e të ardhurave prej këtyre kulturave ka bërë që toka të mos punohet më si dikur, por banorët vijojnë traditën e mbarështimit të bagëtive. Tufa të mëdha me lopë, dele e dhi kullosin në lëndinat dhe luginat përreth fshatit, ndërsa bariu Sulo që e hasim ndërsa zbresim nga Shëndëllia na jep numrin e telefonit nëse ndonjëherë do të na duhet të porosisim mish të freskët me aromë të kullotave malore.
Bariu duket krenar që rruga po transformohet dhe tregon se ka fuoristradë e mund ta zbresë porosinë deri në rrugën kombëtare.
Në fshat, shtëpitë e banuara janë të mirëmbajtura, me oborre të mbjella me perime dhe lule e trëndafila. Fshati duket si i stolisur në këtë stinë, pasi pothuajse kudo kanë çelur pemët me lule rozë dhe petale të ngrënshme, apo kumbullat, mollët, goricat e dardhët.
Ndërsa zbresim pas një aventure në malin e Shëndëllisë, ku panorama 360 gradë e lumit të Vjosës është të pabesueshme, fshati duket edhe më i bukur në muzg.
Një banor që na sheh duke kaluar na përshëndet dhe është mjaft i kënaqur t’i përgjigjet pyetjeve tona kureshtare.
“Keni fshat shumë të bukur”, i them.
“E di”, ishte përgjigjja e tij e menjëhershme. Edhe ai e lidh zhvillimin e fshatit me rrugën që po bëhet. “Me siguri edhe shumë njerëz të tjerë do të kthehen e do të kemi edhe vizitorë”.
Vizitojmë dhe teqenë që ndodhet në rrugën kryesore të fshatit. Ajo është e rregulluar dhe e mirëmbajtur, ndërsa qëndron e hapur për vizitorët. Nën portikun e saj shfaqet lugina e Vjosës.
Kalaja dhe një shpellë karstike me stalaktite janë aty për t’u parë një herë tjetër. Të gjithë biem dakord se do të ketë herë tjetër për Mezhgoranin, fshatin me pamje nga Vjosa./Marre nga ATSH

