Dështimi për Presidentin zgjedhjet e reja, Ramabaja: Opozita pjesë e bllokadës së sinkronizuar nga Beogradi e jo vetëm

Skena politike në Kosovë mbetet e tensionuar, ndërsa afati i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri po afron. Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një lëvizje strategjike duke hequr dorë nga kandidaturat e saj dhe duke i kërkuar opozitës të propozojë tre emra, por kjo ofertë ka hasur në një përgjigje të përçarë, duke e lënë vendin para një situate të paqartë.

Sipas analistit Sadri Ramabaja, Lëvizja Vetëvendosje është një akt që bart "petkun e përgjegjësisë politike", duke ia kaluar opozitës detyrën kushtetuese për propozimin e kreut të shtetit. Megjithatë, reagimi i opozitës ka qenë i pakoordinuar.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka refuzuar në bllok të ofrojë emra, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur një qëndrim më të matur.

LDK ka paraqitur atë që Ramabaja e quan një "propozim strategjik", duke lënë të hapur mundësinë e propozimit të Vjosa Osmanit si kandidate. Ky propozim, megjithatë, vjen me një kusht të qartë: garantimin e 66 votave nga ana e Vetëvendosjes për të siguruar kalimin e kandidaturës në Kuvend.

Nga këndvështrimi i analistit, situata aktuale është një ndeshje mes racionalitetit politik dhe etikës së përgjegjësisë. Ai shprehet skeptik për arritjen e një marrëveshjeje, duke argumentuar se opozita në Kosovë "ka kohë që ka rënë në provim" dhe i mungon përgjegjësia e duhur.

Në intervistën e tij dhënë për “Ora News”, Ramabaja shkon më tej, duke e cilësuar opozitën si "pjesë të bllokimit të sinkronizuar që i bëhet qeverisë së Republikës së Kosovës". Sipas tij, ky bllokim është i iniciuar dhe i orkestruar mirë nga Beogradi dhe qendra të tjera. Për këtë arsye, ai mendon se orët e fundit po shpenzohen më shumë për t'i hedhur përgjegjësinë njëra-tjetrës për një dështim të mundshëm, i cili do ta çonte vendin për herë të tretë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Lidhur me kandidaturën e mundshme të Vjosa Osmanit, analisti është i mendimit se ajo nuk do të mund t'i siguronte votat e nevojshme për t'u zgjedhur presidente, duke e lënë të ardhmen politike të vendit ende peng të lojërave dhe kalkulimeve partiake.

PJESË NGA BISEDA

Si e shikon situatën? Do të arrihet ndoshta një marrëveshje e mundshme brenda 48 orëve të ardhshme apo jemi në pikun ku sërish Kosova ose qytetarët e Kosovës do t'i drejtohen kutive të votimit?

Sadri Ramabaja: Megjithatë nga nata e mbrëmshme kemi lëvizje. Kjo lëvizje është e veshur edhe me një petk të përgjegjësisë politike. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar më në fund, megjithëse do të thosha unë me pak vonesë, ka hequr dorë nga kandidaturat e saj për postin e presidentit të Republikës dhe këtë detyrë, këtë obligim kushtetues ia ka lënë në dispozicion opozitës. Ka bërë kërkesë që opozita të propozojë tre emra, të cilët do të votoheshin pastaj në Kuvend.

Megjithatë ndërkohë pati dy lëvizje do të thosha për shumëçka të pakoordinuara mes opozitës. Derisa Partia Demokratike që është partia opozitare më e madhe në Kuvend, përfaqësohet me 22 deputetë, refuzoi në bllok që të ofrojë emra, Lidhja Demokratike u tregua më e matur.

Megjithëse solli në vëmendje një propozim strategjik, ndoshta për të, duke e cilësuar për si një përgjigje të propozimit strategjik të Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo u tregua e gatshme që të propozojë një emër, duke mos përjashtuar që ai emër të jetë i ish-presidentes, zonjës Vjosa Osmani, dhe duke bërë thirrje respektivisht duke kushtëzuar këtë hap me garantimin që do duhej t'i bënte Vetëvendosja për 66 ë votat e nevojshme që ky propozim të kalojë.

Tani pra jemi në këtë pozicion ku, si të thuash, ka një ndërthurje mes racionalitetit politik dhe etikës së përgjegjësisë për të cilën ka shkruar sociologu më i madh gjerman Max Weber, kur forcat politike janë në dyluftim të ashpër për të argumentuar pozicionet e tyre jo thjesht për të kaluar krizat, por për të arsyetuar bllokimin që po vazhdon, e të cilin për hir të së vërtetës do të duhej ta theksonim, e ka krijuar Gjykata Kushtetuese.

Pra e gjithë kjo situatë në gjykimin tuaj, mbetet ende për t'u zbuluar, po themi orë pas ore. Pra nuk e përjashtoni zoti Ramabaja faktin që ne mund të kemi një dakordësi?

Sadri Ramabaja: Jo, tashmë nuk përjashtohet për shkak se nëse herën e kaluar, kreu i LDK-së e cilësoi si të mbyllur dialogun për këtë çështje, tashmë megjithatë një propozim strategjik siç e thashë, e ka bërë. Por duhet të jemi realistë, nuk duhet të ushqejmë shpresa, sepse opozita në Kosovë ka kohë që ka rënë në provim. Nuk ka përgjegjësi dhe është pjesë e bllokimit të sinkronizuar që i bëhet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kosovës përgjithësisht. Për mendimin tim, të iniciuar, të orkestruar dhe të organizuar mirë nga Beogradi dhe qendra të tjera. Dhe në këtë pikëpamje jam më shumë i prirur të mendoj se po shpenzohen orët e fundit për t'i hedhur njëra palë tjetrës përgjegjësinë për shkuarje për herë të tretë në zgjedhje të jashtëzakonshme për çështje të presidentit.

Çfarë do të thoshte për ju rikthimi i Vjosa Osmanit?

Sadri Ramabaja: Si kandidate e kam fjalën, sepse presidente nuk besoj që mund të marrë vota, por prandaj po e quaj si kandidate, nuk besoj që mund të marrë vota.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ANALISTIN SADRI RAMABAJA