SULMI NË BANJSKË/ Burgim i përjetshëm për dy autorët e vr*sjes së Afrim Bunjakut, 30 vite për Maksimoviqin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë vendimin për rastin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, të ndodhur më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vjet burg. Në sallë, gjatë shpalljes së vendimit, ishte i pranishëm vetëm Maksimoviqi.

Sipas autoriteteve në Kosovë, sulmi është konsideruar akt terrorizmi. Në këtë rast janë të përfshirë gjithsej 45 persona, për të cilët është ngritur aktakuzë rreth një vit pas ngjarjes. Në mesin e tyre është edhe Millan Radoiçiq, i cili në dosje paraqitet si drejtues i grupit.

Gjykata vendosi që procesi për tre të dënuarit të trajtohet veçmas, pasi ata ndodhen në paraburgim që nga shtatori i vitit 2023. Ndërkohë, për 42 të akuzuarit e tjerë nuk u pranua kërkesa për gjykim në mungesë.

Sipas Prokurorisë, grupi kishte planifikuar të përdorte dhunë dhe armatim të rëndë për të shkëputur veriun e Kosovës dhe për ta bashkuar me Serbinë. Gjatë sulmit, përveç policit të vrarë, një tjetër efektiv u plagos, ndërsa disa të tjerë pësuan lëndime. Në rrezik u vunë edhe qytetarët që ndodheshin në zonë.

Për këto veprime, të dyshuarit akuzohen për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Sa i përket Radoiçiqit, ai dyshohet se për disa vite ka siguruar financime për grupin, duke mbuluar armatimin dhe logjistikën, si dhe përfshirje në pastrim parash përmes aktiviteteve dhe bizneseve të lidhura me të./ REL