Kosova anëtare në Bordin e Paqes, Kuvendi voton me 103 vota pro
Me 103 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi ligjin për ratifikimin e marrëveshjes që i hap rrugë anëtarësimit të Kosova në Bordin e Paqes.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cilësoi votimin si një shembull të rrallë uniteti, duke shtuar se një mbështetje e tillë do të mund të shfrytëzohej edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Deputetët nga të gjitha partitë vlerësuan se ky hap forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, theksoi se Bordi i Paqes synon promovimin e stabilitetit dhe garantimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura nga konfliktet.
Nga opozita, Elmi Reçica e cilësoi anëtarësimin si interes të lartë shtetëror që forcon sigurinë kombëtare dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa Anton Quni nga Lidhja Demokratike e Kosovës u shpreh se Kosova, duke iu bashkuar këtij mekanizmi global, kalon nga një përfituese e paqes në një kontribuese aktive në stabilitetin ndërkombëtar.
Edhe Time Kadrijaj theksoi se ky anëtarësim është dëshmi e rolit në rritje të Kosovës në fushën e sigurisë dhe diplomacisë, duke e cilësuar si një garanci për të ardhmen e vendit në arenën ndërkombëtare.
