LVV ndryshon kurs politik/ Heq dorë nga posti i Presidentit, hap negociata me PDK e LDK për marrëveshje të përbashkët
Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar një mbledhje të Kryesisë, ku është diskutuar çështja e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës dhe hapat e mundshëm për të shmangur një krizë politike.
Nga kjo mbledhje është bërë e ditur se partia nuk do të insistojë që ta mbajë vetë postin e kreut të shtetit, por ka propozuar një marrëveshje më të gjerë me partitë opozitare.
Vetëvendosje ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që së bashku të propozojnë tre kandidatë për president, nga të cilët më pas të zgjidhet një figurë unifikuese.
Sipas këtij propozimi, kandidatët duhet të jenë persona me integritet të lartë dhe pa përfshirje aktive në politikën e përditshme. Për një marrëveshje të tillë do të nevojiteshin të paktën 90 nënshkrime nga deputetët e Kuvendit.
Në kuadër të kësaj nisme, janë përmendur edhe tërheqje të mundshme të disa kandidaturave brenda Vetëvendosjes, për të hapur rrugën e një zgjidhjeje konsensuale.
Partia ka kërkuar që përgjigjja nga opozita të jepet brenda një afati të shkurtër, për shkak të afateve kushtetuese, duke theksuar nevojën për një marrëveshje që shmang zgjedhje të reja dhe siguron stabilitet institucional në vend.

