Iranianët të izoluar nga interneti për të 56-ën ditë radhazi
Iranianët vijojnë të mbeten të shkëputur nga interneti global për të 56-ën ditë radhazi, njoftoi sot organizata monitoruese e lidhjes në rrjet “NetBlocks”.
“Sot shënohet dita e 56-të e ndërprerjes së internetit në Iran, me lidhjen ndërkombëtare të ndërprerë për më shumë se 1 320 orë”, bëri të ditur organizata në një postim në platformën X.
Sipas “NetBlocks”, kjo ndërprerje konsiderohet si mbyllja më e gjatë kombëtare e internetit – e regjistruar ndonjëherë , ndërsa paralajmërohet se situata në vend po përkeqësohet mes konfliktit dhe raportimeve për ekzekutime.
Qeveria iraniane bllokoi në masë të madhe aksesin në internetin global pas sulmit të përbashkët SHBA–Izrael më 28 shkurt, duke kufizuar ndjeshëm komunikimin dhe qasjen në informacion.
Që prej asaj kohe, rreth 90 milionë banorë të vendit kanë pasur akses vetëm në një rrjet të brendshëm të kufizuar, ku ofrohet përmbajtje e miratuar nga shteti.
Ndërkohë, vetëm një pjesë e vogël e ushtrisë dhe strukturave shtetërore kanë akses të pakufizuar në internet.
Edhe media iraniane vazhdon të publikojë përmbajtje në platforma si “Telegram” dhe X, të cilat janë kryesisht të bllokuara për publikun brenda vendit.

