EPSTEIN ME RRJET ABUZIMI NË LONDËR! BBC: Viktimat strehoheshin në kryeqytet, ndërsa policia nuk hetonte (VIDEO)
Një investigim i thelluar i BBC-së ka zbuluar përmasa të reja të aktivitetit kriminal të Jeffrey Epstein në Londër, duke ngritur dyshime serioze mbi dështimin e institucioneve për të ndërhyrë në kohë. Dokumente, emaile dhe të dhëna bankare tregojnë për një rrjet të organizuar trafikimi dhe abuzimi seksual që shtrihej në disa vende evropiane.
Një investigim i thelluar i BBC-së ka hedhur dritë mbi një dimension të ri të aktivitetit kriminal të Jeffrey Epstein këtë herë në zemër të Londrës.
Sipas dokumenteve, emaileve dhe të dhënave bankare të analizuara, Epstein kishte marrë me qira të paktën katër apartamente në zonat elitare, ku strehoheshin gra që më vonë dolën si viktima të abuzimit seksual.
Shumë prej tyre ishin të reja nga Evropa Lindore dhe Rusia, të shkonin në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas transportoheshin rregullisht drejt Parisit, shpesh përmes trenit Eurostar.
Dosjet tregojnë se disa prej këtyre grave detyroheshin të rekrutonin të tjera në rrjetin e trafikimit, duke e kthyer këtë në një operacion të strukturuar dhe ndërkombëtar.
Ajo që e bën rastin edhe më të rëndë është fakti se këto aktivitete vazhduan edhe pasi autoritetet britanike kishin marrë sinjale paralajmëruese. Në vitin 2015, një nga viktimat kishte denoncuar trafikimin e saj në Londër, por policia nuk hapi një hetim të plotë.
Ekspertë të sigurisë dhe të drejtave të njeriut thonë se kishte mjaftueshëm prova për të ndërhyrë. Ish-komisioneri kundër skllavërisë në Mbretërinë e Bashkuar ka deklaruar se janë humbur mundësi të qarta për të ndalur aktivitetin e Epstein.
Ndërkohë, të dhënat tregojnë se financieri vazhdoi të udhëtonte lirshëm, duke organizuar mbi 50 udhëtime për gra mes Britanisë dhe Francës, si dhe më shumë se 100 fluturime ndërkombëtare të lidhura me rrjetin e tij.
Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e tij e dënuar, konsiderohet një figurë kyçe në këtë skemë, ndërsa hetimet tani po fokusohen edhe tek persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë.
Sot, pas publikimit të këtyre fakteve, po shtohen thirrjet për një hetim publik të plotë, për të kuptuar jo vetëm shkallën e abuzimeve por edhe pse ato u lejuan të vazhdonin për vite me radhë.

