Xhafo: Partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk pritet të sjellë zgjidhjen e çështjeve madhore mes dy vendeve
Çështja e ndarjes së detit me Greqinë e vendos diplomacinë shqiptare në një nga pozitat më të vështira, ndërkohë që strategjia e ndjekur nga qeveria për ta dërguar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare shihet me skepticizëm të thellë.
Gazetari dhe moderatori Endri Xhafo i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, theksoi se partneriteti strategjik i diskutuar mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk pritet të sjellë zgjidhjen e çështjeve madhore mes dy vendeve, siç është ajo e kufirit detar.
Sipas tij, një partneritet i tillë nuk funksionon si një marrëveshje specifike për të mbyllur mosmarrëveshjet, por më tepër si një udhërrëfyes për të forcuar bashkëpunimin në fusha si ekonomia, energjia, ndërlidhja rajonale dhe integrimi europian.
Ky i fundit merr një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh se Greqia pritet të marrë së shpejti presidencën e radhës të Bashkimit Europian.
Në thelb, tha Xhafo ky partneritet nuk paraqet një risi thelbësore në raport me të kaluarën. Ai duhet parë në kontekstin historik të marrëdhënieve dypalëshe, duke u krahasuar me Traktatin e Miqësisë të nënshkruar në vitin 1996 mes qeverisë së Sali Berishës dhe asaj greke të Kostas Simitis. Ai traktat erdhi pas një periudhe marrëdhëniesh të ftohta, të tensionuara nga çështja e minoritetit dhe incidente të rënda si ndërhyrja e grupit paraushtarak MAVI.
Për sa i përket çështjes së kufirit detar dhe shelfit kontinental, të cilat mbeten pikat më të nxehta mes Athinës dhe Tiranës, partneriteti strategjik nuk ka për synim t'i zgjidhë ato.
Pritshmëria sipas Xhafos, është që kjo çështje do të përfundojë në një gjykatë ndërkombëtare, siç është deklaruar nga të dyja palët. Megjithatë, ekziston shqetësimi mes ekspertëve se një zgjidhje gjyqësore mund të jetë më pak e favorshme për Shqipërinë sesa një marrëveshje e arritur përmes negociatave të drejtpërdrejta.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”

