Deti me Greqinë, Çipa: Ministri Hoxha është në pozitën e tij më të vështirë si diplomat

Çështja e ndarjes së detit me Greqinë e vendos diplomacinë shqiptare në një nga pozitat më të vështira, ndërkohë që strategjia e ndjekur nga qeveria për ta dërguar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare shihet me skepticizëm të thellë.

Gazetari dhe analisti Aleksandër Çipa i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, theksoi se kjo lëvizje mund të jetë thjesht një “alibi ndërshtetërore” për të menaxhuar një situatë komplekse.

Ai tha se kjo kauzë, e cila ka nisur të diskutohet që në vitin 2009, është mbajtur qëllimisht në një “izolim informativ të rafinuar” nga të dyja anët e politikës shqiptare, duke e trajtuar si një çështje të prapaskenave dhe jo të debatit publik.

Në këtë kontekst, referimi në Hagë nuk konsiderohet si një proces real, por si një justifikim.

“Nuk është një proces që do të shkojë te Gjykata e Hagës. Është një alibi ndërshtetërore që po përdoret për këtë kazus,” u shpreh Çipa. Kjo qasje hedh dyshime të forta mbi vullnetin real për zgjidhjen e çështjes, duke e paraqitur si një manovër diplomatike pa përmbajtje konkrete.

Në diskutim sillet në vëmendje edhe kontributi i pazëvendësueshëm i ish-ambasadorit të ndjerë, Shaban Murati, puna e të cilit cilësohet si një “skanim i shkëlqyer” dhe një pikë referimi thelbësore për këdo që kërkon të kuptojë thellësisht marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe çështjen detare.

Çipa vlerësoi se ekspertiza e tij është e pakapërcyeshme nga burokracitë diplomatike të të dyja vendeve.

Një vështrim mbi mediat greke zbulon një panoramë interesante. Ato shfaqen po aq, në mos më skeptike se mediat shqiptare.

Ngarkesa mediatike në Greqi është edhe më e madhe, por tonet e përgjithshme janë më të ulëta. Kjo qetësi mund të sinjalizojë se pala greke është në pritje të një zhvillimi ende të panjohur për publikun shqiptar.

Në fund, Çipa vuri në pikëpyetje edhe ofertën për “partneritet strategjik”, një koncept që ka munguar në komunikimin diplomatik dypalësh për më shumë se 20 vite.

Ngrihet pyetja thelbësore se çfarë e bën të ndryshëm këtë partneritet të ofruar tani, duke e lënë të hapur debatin mbi sinqeritetin dhe qëllimet e vërteta të kësaj oferte.

Aleksandër Çipa: “Ministri Hoxha, kryesisht për çështjen e shelfit detar midis Greqisë dhe Shqipërisë, është në pozitën më të vështirë. Kjo është pozita më e vështirë e një ish-diplomati tashmë në cilësinë e shefit të diplomacisë zyrtare të vendit.

Sepse, pavarësisht nga gjuha që përdoret dhe kryesisht nga mbulesa që po i shërben kësaj kauze, është një mbulesë e gjatë kohore, që nga 2009-ta kur ka filluar të diskutohet kjo si çështje. Dhe praktikisht të dy kahet e politikës në rotacionet qeverisëse të tyre, këtë çështje jo vetëm e kanë pasur çështje të underground-it, por e kanë mbajtur në një, le të themi, po e them në një izolim informativ të shumë të rafinuar.

Dhe ajo që thuhet sot, se tashmë ne jemi drejtuar gjykatës. Domethënë, ne nuk mund ta heqim nga mendja apo qoftë edhe nga dijenia jonë si informacion të publikuar, atë skanim të shkëlqyer që i ka bërë ish-ambasadori, i ndjerë, Shaban Murati.

Dhe asnjëherë në ekspertizën shqiptare nuk mund të eklipsohet një kontribut i tillë, i cili është i pakapërcyeshëm. Sado që të bëjë administrata dhe burokracia diplomatike e të dy vendeve, nuk e kapërcejnë dot kaq kollaj. Edhe pse në këndvështrimin tim, po përdoret alibia e Gjykatës Ndërkombëtare. Sepse nuk është në dijeninë dhe në atë çka unë kam aftësinë për ta lexuar, një proces që do të shkojë te Gjykata e Hagës. Është një alibi ndërshtetërore që po përdoret për këtë kazus. Dhe e dyta, shiko, sot janë përdorur, unë para se të fillonim emisionin, i hodha një vështrim mediumeve greke, të cilat padyshim që janë po kaq skeptike sa edhe ne. Madje ngarkesa e mediave greke është tejkaluese mbi ngarkesën që kanë mediat shqiptare. Unë flas për mediat profesionale, se tani nuk mund të flasim për gjithë spektrin e online-ve në të dy hapësirat, shqiptare dhe greke. Por ajo që më bëri përshtypje, tonet e mediave greke dhe opinion-bërjes dhe informacionit grek ishin më të ulëta, sepse me sa duket presin diçka që është ende e panjohur për palën tonë.

Nuk ka rënë agresiviteti, por platforma mbi të cilën është vetofruar pala jonë, në rastin konkret pala jonë zyrtare po them, me një pretendim i cili ka qenë i munguar në historinë e më shumë se 20 viteve në komunikimin diplomatik bilateral. Që është ai partneriteti strategjik. Sepse duhet të ngremë një pyetje që nuk është retorike. Ku ndryshon partneriteti strategjik që po i ofrojmë?

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”