Konfliktet që përfundojnë në tragjedi, Binjaku: Pandëshkueshmëria dhe frika ushqejnë krimet

Ngjarjet e rënda ku konflikte të çastit apo të kahershme përshkallëzohen deri në humbje jete kanë tronditur thellë shoqërinë.

Për të kuptuar rrënjët e këtij fenomeni, sociologia Entela Binjaku e ftuar në një intervistë në “Ora News” ofroi një analizë të thelluar mbi shkaqet që çojnë në këto tragjedi, duke vënë theksin te dy elementë kyç: pandëshkueshmëria dhe frika.

Sipas sociologes, këto ngjarje tragjike nuk janë raste të izoluara. Ato shpesh burojnë nga konflikte të mbartura në kohë ose nga zënka të çastit që shpërthejnë në mënyrë ekstreme.

Shkaqet janë të larmishme, duke nisur nga mosmarrëveshjet për pronën, konfliktet për drogën, e deri te arsyet më banale. Pavarësisht shkaktarit, rezultati final është një goditje e rëndë për familjet dhe gjithë opinionin publik.

Një ndër arsyet kryesore që lejon këtë përshkallëzim, sipas Binjakut, është kultura e pandëshkueshmërisë. Kur veprimet paraprake ose krimet më të vogla nuk marrin ndëshkimin e duhur, kjo u jep zemër individëve me mentalitet kriminal.

Ata ndihen të paprekshëm dhe të inkurajuar për të vazhduar me veprime më të rënda, duke menduar se nuk do të përballen kurrë me pasojat.

Një tjetër problem madhor që lidhet ngushtë me këtë fenomen është hezitimi i dëshmitarëve për të bashkëpunuar me drejtësinë. Binjaku shpjegon se kjo vjen si pasojë e frikës.

Qytetarët nuk ndihen të sigurt për jetën e tyre dhe të familjarëve nëse dëshmojnë, pasi nuk kanë besim se sistemi do t'i mbrojë. Për më tepër, përvojat e mëparshme ku dëshmitarët janë zvarritur në procese gjyqësore të pafundme i bën ata të tërhiqen, duke mos dashur të bëhen "peng" i burokracive.

Në thelb, analiza nxjerr në pah një cikël vicioz: pandëshkueshmëria inkurajon kriminelët, ndërsa frika për sigurinë personale dhe mosbesimi te sistemi i drejtësisë i detyron dëshmitarët të heshtin.

Ky kombinim lejon që konfliktet të përshkallëzohen pa ndërhyrje, duke çuar në pasoja tragjike që godasin gjithë shoqërinë.

NDIQNI INTËRVISTËN E PLOTË