Gjyqi ndaj Laert Haxhiut/ Mbrojtja kërkon 60 dëshmitarë, mes tyre babanë e Noziyt dhe Cllevion
Laert Haxhiu kërkon 60 dëshmitarë në gjyqin ku akuzohet për 14 krime të rënda, ndërsa SPAK synon ta përballë me ish mikun Artan Tafani, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë. Mbetet për tu parë nëse do kreu i bandës së lushnjes do të pranojë ballafaqim në gjykatën e Posacme.
Laert Haxhiu, kreu i një grupi kriminal me bazë në Lushnjë, por me veprimtari të shtrirë edhe jashtë kufijve, kërkon 60 dëshmitarë në procesin gjyqësor në Gjykatën e Posaçme, ku ai po gjykohet i ndarë nga bashkëpunëtorët për 14 krime të rënda si vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë.
Kërkesa u paraqit këtë të mërkurë në seancën e radhës nga avokatët e Haxhiut, i cili mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë dhe nuk u paraqit vetë në gjykatë.
Për episodin e tritolit në dyqanin e këngëtarit Noizy në Durrës, avokatët e kreut të bandës së re të Lushnjës, siç njihet, kërkuan të thirret si dëshmitar Bashkim Rajku, babai i reperit të njohur.
Po ashtu, në gjykatë u kërkua edhe Kleviol Ahmetaj, reperi tjetër i njohur si “Cllevio”, i ekstraduar pak muaj më parë nga Dubai, një debat i të cilit me Noizyn ishte shkak i sulmit me eksploziv, të porositur nga Haxhiu, sipas dosjes hetimore.
Prokurori i SPAK, Behar Dibra, kërkoi që radha e marrjes së provave nga organi i akuzës të nisë me dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, rrëfimi i të cilit “çmontoi” bandën e Laert Haxhiut.
Nuk dihet nëse Laert Haxhiu do të paraqitet në seancën e ardhshme, që u la më 29 prill në orën 08:30, për t’u ballafaquar në GJKKO me ish-shokun e tij.
Prokuroria e Posaçme thotë se grupi i strukturuar kriminal i drejtuar prej tij kreu të paktën 14 krime nga prilli i vitit 2021 deri në maj të vitit 2023, nga tritolvëniet paralajmëruese te ekzekutimet.
Laert Haxhiu ndërkohë është dënuar me burg përjetë për masakrën e Lushnjës më 2017, ku u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha dhe u plagosën dy të tjerë, ndërsa shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës, Aldo Bare.
