"Unë do t'i fajësoja që të gjithë" - Kosova një hap larg zgjedhjeve të reja, Statovci: Egot partiake mbi interesin e shtetit
Kosova rrezikon seriozisht të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, pasi klasa politike dështoi të gjente një konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Me shpresat për një marrëveshje eventuale pothuajse të shuara, vendi po i afrohet afatit kushtetues, pas të cilit zgjedhjet bëhen të pashmangshme.
Ngërçi politik jo vetëm që po paralizon institucionet, por po dëmton mirëqenien e qytetarëve dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Në themel të këtij bllokimi, sipas Bedri Statovcit, Pedagog i Shkencave Akademike, qëndrojnë egot partiake dhe inatet personale, të cilat janë vënë mbi interesin e shtetit dhe të qytetarëve.
Në një intervistë për “Ora News”, Statovci theksoi se dështimi për të gjetur një kandidat konsensual për postin e kreut të shtetit është një pasqyrim i paaftësisë së subjekteve politike për të tejkaluar dallimet dhe për të bashkëpunuar për të mirën e përbashkët.
Ky cikël mosmarrëveshjesh dhe "lojërash politike" po vazhdon prej më shumë se dy vitesh, duke e lënë vendin në një paqëndrueshmëri të vazhdueshme.
Statovci u shpreh se kostoja e kësaj situate është e lartë. Zgjedhjet e shpeshta, tha ai, janë "tepër të mundimshme" për qytetarët e Kosovës, jo vetëm për shkak të shpenzimeve të mëdha nga buxheti i shtetit, por edhe për lodhjen psikologjike që shkaktojnë.
Për më tepër, kjo paqëndrueshmëri ka krijuar një stanjacion në arenën ndërkombëtare, duke ndikuar negativisht në marrëveshje dhe procese të rëndësishme për vendin.
Përgjegjësia për këtë ngërç shihet nga ana e Statovcit, si e përbashkët për të gjitha subjektet politike dhe liderët e tyre.
Megjithatë, një përgjegjësi e veçantë i atribuohet partisë fituese që siguroi mbi 51% të votave. Në këtë këndvështrim, Statovciu vlerësoi se koncentrimi i pushtetit te një subjekt i vetëm paraqet rrezik për demokracinë, ndërkohë që pala fituese këmbëngul në mos shkeljen e vullnetit të sovranit, duke kërkuar kontrollin e plotë të institucioneve kryesore: presidencës, parlamentit dhe qeverisë.
Po ashtu një pjesë e fajit i adresohet edhe sovranit (votuesve), i cili, në këndvështrimin e profesorit Statovci, në zgjedhje të përsëritura po krijon një "riciklim" të figurave dhe pozitave, pa sjellë një "rikonfigurim" të vërtetë që do të mundësonte stabilitet.
PJESË NGA BISEDA
Bedri Statovci: Për vetë faktin se nuk kemi edhe institucione stabile, kjo ndikon edhe tek mirëqenia e qytetarit, por ndikon edhe në raportet me partnerët ndërkombëtarë.
Arsyeja pak është e çuditshme se si subjektet politike në Kosovë nuk arritën për një kohë shumë të gjatë të gjejnë një konsensus për ta emëruar një president konsensual.
Si duket, egot partiake janë më të mëdha se sa interesi i qytetarit apo interesi i shtetit. Kështu që me të vërtetë jemi në një situatë të palakmueshme, nga dita e djeshme si duket shpresat janë shuar për një konsensus eventual ose marrëveshje eventuale sepse deklarimet e liderëve, si duket me ditën e djeshme kanë përfunduar dhe tash vetëm pritet data e 27 prillit, me bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë automatike brenda 45 ditëve, do të shkojmë sërish në zgjedhje.
Këto zgjedhje janë shumë të mundimshme për neve qytetarët e Kosovës sepse patëm një mori zgjedhjesh në të kaluarën. Përveç shpenzimeve që i kushtuan buxhetit të Kosovës, gjithësisht taksapaguesve të Kosovës, ato i lodhën edhe psiqikisht, por krijuan edhe një stanjacion edhe në arenën ndërkombëtare.
Pra, në marrëveshje të ndryshme, por për fat të mirë në këtë situatë kaotike, ndoshta është krijimi i parlamentit në këtë periudhë kaq të shkurtër, u miratuan disa marrëveshje që ishin shumë urgjente, por sido që të jetë, unë mendoj se shteti nuk duhet të kuptuar si një institucion i përkohshëm, por si një institucion i përhershëm. Shteti duhet kuptuar, mbi të gjitha interesat e çdo individi apo subjekti partiak, në qoftë se mendojmë të shkojmë përpara, ose mendojmë ta çojmë shtetin dhe sovranin e atij shteti përpara.
Ndryshe, qytetarët e Kosovës janë duke paguar për këto mosmarrëveshje, apo lojëra politike të subjekteve politike, që dy vite e më shumë. Unë do t'i fajësoja që të gjithë, por më së shumti sovranin, sepse edhe pse po krijohen zgjedhje, ato vetëm po krijojnë një riciklim, jo një rikonfigurim.
U përsëritën të njëjtat gjëra, po përsëriten të njëjtat gjëra, të njëjtat pozita dhe nuk po mundemi asesi të arrijmë një zgjidhje stabile. Të kuptohet se kush, në cilin moment duhet të zgjedhet qeveria, parlamenti, presidenca e kështu me radhë.
A kishte sovrani alternativa të tjera?
Statovci: Sovrani kishte alternativa sa të duash dhe sovrani gjithnjë ka alternativa sa të duash, por neve si sovran këtu në Kosovë, pakës më ngadalë mendojmë, nuk thashë që nuk mendojmë fare, dhe mendoj se kësaj radhe duhet të mendoj fare mirë para se të shkojë te kutia e votimit dhe të penalizojë ata që duhet. Tash kush është fajtor? Na themi se jemi sistem, pra demokratik në Kosovë, shumëpartiak. Në qoftë se duam ta gjejmë përgjegjësinë, përgjegjës janë që të gjithë subjektet politike, gjithësisht liderët ose menaxhmenti i atyre subjekteve politike. Por unë mendoj se në këtë ngërç politik, pa marrë parasysh se një subjekt i ka fituar 51%, unë mendoj se përgjegjësia edhe më e madhe duhet t'i bie atij.
Tani nuk dua të hyj në ato analiza se a duhet të lëshojë pe subjekti që i ka mbi 51% apo duhet të lëshojnë partitë opozitare, por mendoj se për demokracinë e shëndoshë, koncentrimi ose centralizimi i pushteteve te një subjekt është i rrezikshëm. Ka treguar ë koha në shumë shtete edhe para neve, edhe para shtetit të Kosovës. Por sido që të jetë, ata po vlerësojnë se sovrani i ka votuar mbi 51% dhe nuk duhet ta shkelin vullnetin e sovranit.
Pra e kërkojnë edhe pozitën e presidentit, e kërkojnë edhe me Kushtetutë në mënyrë automatike i takon edhe pozita e kryeparlamentarit, gjithsesi edhe e qeverisë.
Pa i dhënë shpresë audiencës suaj se mund të ndodhë diçka e papritur brenda këtyre gjashtë ditëve ose shtatë sa kanë mbetur, nuk shpresoj për faktin sepse tani veç janë deklarata publike dhe qëndrime publike të partive opozitare ose negociuese se ka përfunduar çdo gjë dhe mirupafshim në zgjedhje. A ka kohë? Kohë ka akoma. Për shtetin duhet sakrifikuar edhe më shumë, është sakrifikuar gjak, e lëre më ndonjë post ose ndonjë post publik ose ndonjë benefit nga ana e pushtetit, por unë të paktën nuk shpresoj se do të jetë, ndodhë ajo mrekulli mbasi nuk ndodhi që 53 ditë, tre ditë që jemi duke pritur.
A ishte e pashmangshme, le të themi, ky ngërç politik, apo kishte edhe hapësira për kompromis? Si e keni parë?
Statovci: Edhe në ekonomi ka rivalitete, edhe në jurisprudencë, gjithkund në jetë ka rivalitete. Konkurrenca është shumë e mirë, por konkurrenca duhet të mposhtet me dije, me punë e jo për ndonjë inat. Kështu që, unë mendoj se këtu më shumë, në rastin e Kosovës, në rastin e presidentit, më shumë ka pasur mosmarrëveshje ose rivalitete mes figurave të ndryshëm se kush më shumë është prezent, sesa ndonjë mosmarrëveshje tjetër.
Kështu që mendoj se është gabim, koha ka me treguar që është gabim sepse inatet në udhëheqjet e shtetit duhet të mënjanohen, sepse sovrani askujt nuk ia jep votën, nuk ia siguron karrigen që të luhet...
NDIQNI INTËRVISTËN E PLOTË ME PROFESORIN BEDRI STATOVCI

