GREQI, FRYMEMARRJE PËR “BORXHLINJTË”/ Qeveria harton paketën mbështetëse prej 500 milionë euro
Qeveria greke ka prezantuar një paketë prej 500 milionë eurosh për të lehtësuar kostot e jetesës në vend. Masat synojnë familjet, pensionistët, fermerët dhe qytetarët me vështirësi financiare. Fondi vjen nga sufiçiti buxhetor dhe synon shpërndarje më të gjerë të përfitimeve ekonomike.
Në kushtet e pasigurisë ndërkombëtare dhe rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës, qeveria greke ka ndërhyrë me një paketë mbështetëse për qytetarët, duke prezantuar një paketë të re masash ekonomike për të përballuar rritjen e kostos së jetesës.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi një fond prej 500 milionë eurosh, i financuar nga sufiçiti buxhetor, me synim mbështetjen e shtresave më të prekura të shoqërisë. Paketa përfshin një sërë ndërhyrjesh konkrete që prekin drejtpërdrejt familjet, pensionistët, fermerët dhe qytetarët me detyrime financiare.
Ndër masat kryesore është zgjatja e subvencionit për karburantin për muajin maj, një lehtësim për konsumatorët dhe bizneset në një kohë çmimesh të larta. Po ashtu, subvencionimi i plehrave kimike në masën 15% do të vazhdojë deri në muajin gusht, duke mbështetur rreth 250 mijë fermerë dhe sektorin bujqësor.
Një tjetër masë e rëndësishme është ndihma direkte prej 150 eurosh për familjet me fëmijë, e cila do të shpërndahet në fund të qershorit pa aplikim dhe pritet të përfitojnë rreth 1 milion familje, ose 80% e totalit.
Pensionistët dhe shtresat në nevojë përfitojnë gjithashtu, pasi mbështetja vjetore rritet në 300 euro dhe shtrihet në rreth 1.9 milion përfitues.
Ndihmë do të ketë edhe për qiramarrësit, pasi rriten kufijtë e të ardhurave për përfitim, duke përfshirë mbi 1 milion qytetarë dhe rreth 70 mijë familje shtesë. Një pjesë e rëndësishme e paketës lidhet me lehtësimin e borxheve.
Qytetarët do të mund të zhbllokojnë llogaritë ë tyre bankare pasi të kenë shlyer 25% të detyrimit, ndërsa borxhet nga 5 deri në 10 mijë euro përfshihen në mekanizmat e ristrukturimit. Gjithashtu, detyrimet e prapambetura deri në fund të vitit 2023 mund të shlyhen me këste deri në 72 muaj.
Sipas qeverisë, kjo paketë synon të kthejë përfitimet e rritjes ekonomike tek qytetarët, pa rrezikuar stabilitetin fiskal.
