RIKTHIM I OSMANIT TEK LDK-ja? Çollaku: Vjosa ka kapacitetin të bëjë bashkimin e së djathtës në frymën e Ibrahim Rugovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vendosur të ndërmarrë një fushatë të gjerë dëgjimi me qytetarët në të gjithë vendin, përpara se të marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e saj politike dhe sfidat elektorale.
Kjo strategji u bë e ditur nga një prej bashkëpunëtorëve të saj, Kreshnik Çollaku i cili në një intervistë për “Ora News” e përshkroi Osmanin si një "politikane klasike të terrenit".
Sipas tij, ndryshe nga imazhi i saj në zyra presidenciale apo kancelari, Osmani ka ruajtur gjithmonë një lidhje të fortë me bazën dhe mbështetësit e saj.
Fushata aktuale konsiston në një tur konsultimesh në çdo komunë dhe lagje të Kosovës, me qëllim mbledhjen e mendimeve dhe reagimeve direkt nga votuesit dhe përkrahësit e saj. Kjo lëvizje shihet si një hap përgatitor thelbësor për të përcaktuar formën se si ajo do t'i qaset garës së ardhshme elektorale.
Bashkëpunëtori i saj theksoi se një tërheqje e Osmanit nga politika është praktikisht e pamundur. Duke argumentuar se eksperienca e saj e jashtëzakonshme shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe marrëdhëniet e konsoliduara me qendrat më të rëndësishme të vendimmarrjes globale, e bëjnë një figurë aktive dhe të rëndësishme në skenën politike.
Turi i konsultimeve pritet të kulmojë me një vendim strategjik. Pas mbledhjes së opinioneve nga qytetarët, presidentja Osmani do të konsultohet me këshilltarët e saj për të përcaktuar drejtimin politik.
Opsionet në tavolinë përfshijnë garimin si subjekt i pavarur, një rikthim të mundshëm te Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), apo krijimin e një formacioni tjetër politik. E ardhmja e saj politike mbetet e lidhur ngushtë me zërin e qytetarëve që ajo po dëgjon aktualisht në terren.
RIKTHIM I OSMANIT TEK LDK-ja?
Teksa flitet për të ardhmen politike të Presidentes Vjosa Osmani, sugjerime të forta vijnë edhe nga rrethi i saj i gjerë i bashkëpunëtorëve dhe këshilltarëve.
Kreshnik Çollaku ka shprehur hapur sugjerimin e tij personal për të ardhmen politike të Presidentes Vjosa Osmani, duke propozuar një rikthim të saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Sipas tij, lëvizja më e mirë për Osmanin do të ishte të bëhej pjesë e një ribashkimi të madh të së djathtës dhe rrymës rugoviste në Kosovë, ku LDK-ja do të ishte “shtëpia më e mirë”.
Duke folur për hapat e ardhshëm të Presidentes, Çollaku theksoi se pavarësisht mendimit të tij, vendimi final i Osmanit duhet të bazohet te konsultimet që ajo po zhvillon me qytetarët. Ai mbështet fuqishëm turin e saj dëgjimor, duke e konsideruar si thelbësor për të kuptuar vullnetin e njerëzve që e kanë mbështetur ndër vite.
“Në rast se këshilla ime dhe reagimi i njerëzve përputhen, atëherë do të ishte zgjidhja më e mirë absolute”, u shpreh ai, duke shtuar se do të respektojë çdo vendim të Osmanit, edhe nëse ajo zgjedh një rrugë tjetër.
Çollaku argumenton se do të ishte fuqishëm në favor të një “bashkimi, riformatimi, rithemelimi dhe rilindjeje” të LDK-së dhe të së djathtës në përgjithësi. Ai beson se Kosovës i ka munguar prej vitesh “fryma rugoviste e përgjegjësisë së lartë karshi shtetit dhe sakrificës”.
Duke e përshkruar Vjosa Osmanin si një “rugoviste në filozofinë e saj politike”, Çollaku shprehu bindjen se çdo sakrificë do të ishte e vlefshme për të rikthyer LDK-në “në hijen e fortë të filozofisë së Ibrahim Rugovës”.
Ai theksoi se Presidentja Osmani ka kapacitetin e duhur për ta realizuar këtë mision.
PJESE NGA BISEDA
Cili do të jetë hapi i radhës, po e quaj unë, i presidentes Vjosa Osmani?
Kreshnik Çollaku: Presidentja Osmani ka, ka vendosur të zhvillojë një fushatë dëgjuese. Duhet të dini që jeni mësuar e shikoni Vjosën në zyra apo nëpër kancelari, por Vjosa është politikane klasike e terrenit.
E këtë po jua them si një bashkëpunëtor i saj i hershëm, qoftë dhe kur nuk ka qenë presidente, apo deputete, por dhe pozicione të tjera. Vjosa është njeri i terrenit. Vjosa presidente nuk ka humbur lidhjet dhe kontaktet me gjithë atë gamë të madhe mbështetësish që ka në Kosovë.
Qofshin ish-struktura të LDK-së, qofshin të tjerë të rinj. Dhe ajo ka vendosur, dhe unë e kam mbështetur, qoftë dhe si qytetar, por dhe bashkëpunëtor i saj këtë, këtë ide, dhe mendoj që është gjëja më e mirë që po bën, të zhvillojë një fushatë dëgjuese me njerëzit, me mbështetësit e saj, votuesit e saj, përkrahësit e saj. Në të gjithë Kosovën, në çdo komunë, në çdo lagje. Dhe këtë po bën. Dhe mendoj që kjo, para se të marrë vendimet e veta për formën se si do t'i qaset sfidës elektorale.
E sigurt është që edhe sikur të donte Vjosa Osmani, është e dënuar të mos dalë nga politika. Është një njeri aktiv, në moshë shumë aktive. Ka një eksperiencë të jashtëzakonshme shtetërore, një eksperiencë të jashtëzakonshme ndërkombëtare, me njeri dhe marrëdhënie të konsoliduara me qendrat vendimmarrëse më të rëndësishme të globit. Dhe e ka të pamundur të tërhiqet nga politika.
Forma se si do të zgjedhë t'i qaset tanimë, edhe elektoralisht njerëzve, është pikërisht kjo të cilën po përpiqet të bëjë në këtë xhiro, në këtë tur të madh konsultimi, dëgjese. Mendoj që ditët e fundit janë para se ajo të marrë një vendim, pra të marrë atë feedback-un e njerëzve dhe pastaj ta konsultojë me ne këshilltarët për një drejtim politik. Pra, si do të qaset. Subjekt në vete, një rikthim te partia e vjetër amë, LDK-ja apo...
Unë e kam mbështetur më së shumti këtë tur dëgjesash që ka bërë me njerëzit. Ka, pavarësisht eksperiencës time si politik, si diplomat nga Tirana, Vjosa ka pasur nevojë të dëgjojë njerëzit e vet. Njerëzit që e kanë mbështetur, e kanë dashur dhe suportuar gjithë kohës. Kështu që e mbështes shumë, e kam e kam e kam përkrahur shumë në këtë tur. Nuk është momenti i këshilltarëve. Sigurisht, konsultohemi dhe në bazë të eksperiencave të mia, në këtë rast personalisht. Por po e them këtu fare hapur, pa rezervë për ju, sepse kam plan t'ia them, ose pak e kam thënë, por do t'ia them në momentin e duhur kur të më pyesë dhe Vjosa.
Në rast se do të pyeste mua personalisht, sugjerimi im do të ishte të kthehej në një ribashkim. Unë do të doja një ribashkim të së djathtës në Kosovë, të Rugovistëve në Kosovë, dhe shtëpia më e mirë do të ishte LDK. Ky është mendimi im personal. Sigurisht, para se të marrë vlerësimin dhe mendimin tim personal, Vjosa duhet të vijë me gjithë atë feedback njerëzish të cilin po e konsulton që prej një muaji derë më derë dhe shtëpi në shtëpi.
Dhe në rast se këto të dyja përputhen, do të jetë gjëja më e mirë absolutisht. Në rast se Vjosa do të mendojë ndryshe apo ka feedback tjetër, patjetër do ta respektojë dhe mbështes si si bashkëpunëtor i saj.
Por, nominalisht për mua, Kreshnik Çollakun, unë do të isha shumë në favor të bashkimit dhe reformatimit por të doni dhe një rithemelimi, po doni dhe një rilindje, po doni edhe një momentumi të ri për LDK-në dhe për të djathtën, sepse besoj që Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve, çfarë i ka munguar më së shumti ka qenë ajo fryma Rugoviste e përgjegjësisë së lartë karshi shtetit, sakrificës të lartë karshi të tërës.
Vjosa është një Rugoviste në filozofinë e saj politike dhe mendoj që do të vlente çdo mundim.
Sigurisht, ndarjet, bashkimet kanë ato kostot e veta dhe problematikat, por mendoj që çdo sakrificë do të ishte, do të ishte e vlefshme që të rikthejë një LDK në atë hijen e fortë të filozofisë së Ibrahim Rugovës. Dhe besoj që Vjosa ka kapacitetin ta bëjë këtë gjë.


