SPAK kap faturat e verërave të shtrenjta të Ergys Agasit: Për 1 vit u importuan 1 mln € verë e kuqe

Dosja e AKSHIT ka zbuluar jo vetëm pronat me vlerën 40 milionë euro por edhe luksin. Biznesmenëve Ergys Agasi dhe ermal beqiri iu zbuluan verë me vlerë mbi 1 milionë euro por edhe jahti luksoz

Ergys Agasi, biznesmeni i shpallur në kërkim nga SPAK, rezulton të jetë pronar i një sërë pronash dhe pasuri që me një vendim të GJKKO-së janë sekuestruar.
Me urdhërit të prokurorit, ndaj Ergys Agasi, është ushtruar kontroll në një prej banesave të dyshuara në pronësi të tij, në zonën e vilave qeveritare, plazh, Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar, në ambientin e poshtëm të banesës (garazhd), u konstatuan disa arka druri, brenda të cilave ndodheshin disa shishe vere dhe shampanje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Evidentohet me interes fakti se mbi njërën nga këto kuti, u gjet një faturë si ato të "Western Union", me përshkrimin "Express World Wide DHL...to: Fast&Fresh Arjola Rr. Brigada VIII, nd. 8, Apt".

Nga verifikimet e kryera në burimet e hapura të informacionit, rezulton se shoqëria "Fast & Fresh", me NIPT: L715200290, është në pronësi të shtetasit Andis Papa.

Gjithashtu, nga verifikimet në sistemin "Asycuda World", të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, rezulton se subjekti "Fast & Fresh", ka importuar sasi të konsiderueshme pijesh alkoolike, konkretisht verë të kuqe, në vlera të larta monetare.

Nëpërmjet këqyrjes së sistemit "Asycuda World" është dokumentuar fakti se ky subjekt ka importuar këto produkte për periudhën Tetor 2024 - Nëntor 2025 në vlerën totale 1 130 265 EUR dhe për periudhën Nëntor 2024 - Dhjetor 2025 ky subjekt ka faturuar blerje ndaj "Fastech" shpk dhe "Soft & Solution" shpk shumën prej 94 423 883 ALL.