Sadiku dhe Bajoku përfaqësojnë Kosovën në turneun më të madh të historisë
Ka nisur zyrtarisht turneu prestigjioz ndërkombëtar i boksit “World Boxing Cup – Brazil 2026”, i cili po zhvillohet nga data 20 deri më 27 prill në qytetin Foz do Iguaçu, duke mbledhur elitën e boksit botëror.
Shorti i hedhur ka përcaktuar përballje interesante për boksierët pjesëmarrës. Sot më 21 prill, në kategorinë 65 kilogramë, boksieri kosovar Shpëtim Bajoku do të përballet me kanadezin Gabriel Labrie, në një duel që pritet të jetë mjaft i fortë.
Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, Donjeta Sadiku në kategorinë 60 kilogramë ka kaluar automatikisht një raund pa luftë dhe do të ngjitet në ring më 22 prill, ku do të përballet me boksieren nga Zelanda e Re, Jordan Wilson.
Ky edicion i Kupës Botërore të Boksit po thyen rekorde pjesëmarrjeje, me plot 49 shtete dhe 342 boksierë, duke u bërë turneu më i madh në historinë e këtij kompeticioni. Njëkohësisht, kjo është ngjarja e parë e serisë për vitin 2026.
Përveç rëndësisë sportive, turneu ka edhe peshë të madhe strategjike për karrierën e sportistëve, pasi pikët e fituara do të ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike Los Angeles 2028.
Me pjesëmarrjen e boksierëve nga e gjithë bota, “World Boxing Cup – Brazil 2026” premton spektakël, rivalitet të fortë dhe ndeshje të nivelit më të lartë ndërkombëtar. /KosovaPress

