VIDEO/ Kristjan Asllani gjen golin e parë me Besiktas, por ekipi i tij humbet

Kristjan Asllani ka gjetur golin e parë me fanellën e Beşiktaş, por pa mundur të shmangë humbjen 2-1 në transfertë ndaj Samsunspor, në javën e 30-të të Süper Lig.

Vendasit kishin krijuar një avantazh të dyfishtë, ndërsa reagimi i Beşiktaş erdhi vetëm në minutat e fundit.

Skuadra nga Stambolli fitoi një penallti pas një prekjeje të topit me dorë në zonë nga mbrojtja kundërshtare.

Nga pika e bardhë u paraqit Asllani, i cili u tregua i saktë, duke realizuar golin e tij të parë me ekipin turk.

Pavarësisht përpjekjeve në fund, Beşiktaş nuk arriti të ndryshojë fatin e ndeshjes dhe mbetet në vendin e katërt me 55 pikë në renditje.

Mesfushori shqiptar është aktualisht i huazuar te klubi turk nga Inter Milan deri në përfundim të sezonit, me opsion blerjeje. Në këtë takim u aktivizua edhe Milot Rashica, i cili u hodh në fushë si zëvendësues në minutën e 77-të.