Dorëheqja e Tetovës, Sulozeqi zbulon prapaskenat: A po tentohet fundosja e Egnatias?

Largimi i papritur i trajnerit Edlir Tetova nga stoli i Egnatias ka tronditur opinionin sportiv, por duket se prapa kësaj lëvizjeje fshihen arsye më të thella sesa një dorëheqje e thjeshtë.

Në një diskutimnë emisionin "Ora Sport", në "Ora News", ishte Skerdilaid Sulozeqi i cili hodhi dyshime të forta për një “goditje të stisur” që synon të frenojë ecurinë historike të skuadrës rrogozhinase.

Sipas tij,dorëheqja nuk ishte një “rrufe në qiell të hapur”, por pjesë e një skenari për të dëmtuar klubin që arriti kulmin e performancës.

Flitet për një “dorë të zezë” dhe ndikime “politike apo jashtë futbollit” që kanë ushtruar presion për të ulur ritmin e Egnatias. Kjo teori sugjeron se suksesi i një “ekipi fshati”, siç perceptohet nga disa, nuk shihet me sy të mirë. Argumentet për këtë prapaskenë mbështeten në ngjarjet e fundit.

Dënimi i ashpër ndaj Tetovës dhe stafit të tij konsiderohet i paproporcional, i përshkruar si një masë “sikur të ishte kriminel lufte”. Këtyre i shtohen edhe ndërhyrjet e diskutueshme të arbitrave dhe vendime të tjera që, të marra së bashku, krijojnë idenë e një përpjekjeje të qëllimshme për të ndalur skuadrën.

“Ka diçka që nuk shkon”, u theksua gjatë debatit, duke aluduar se këto ngjarje nuk janë të rastësishme. Nga ana tjetër, përfaqësues të lidhur me klubin pranojnë se ekziston një perceptim i gjerë se “askush nuk do t’i lërë të fitojnë”, por shprehen të vendosur për të luftuar deri në fund në fushën e lojës për të treguar të kundërtën.

E ardhmja do të tregojë nëse Egnatia do të arrijë t’i bëjë ballë kësaj stuhie dhe të vazhdojë ëndrrën e saj, apo nëse forcat e jashtme do të arrijnë të ndikojnë në fatin e kampionatit.