A ishte trajneri Tetova 'kurbani' i Egnatias? Halili zbardh prapaskenat e vendimit që tronditi kampionatin

Njoftimi i klubit të Egnatias për ndërprerjen e marrëveshjes me trajnerin Edlir Tetova në fund të sezonit, pikërisht në muajin më vendimtar të kampionatit, është konsideruar gjerësisht si një “autogol” strategjik.

Ky vendim, i bërë publik në një moment kritik, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi logjikën dhe motivet e klubit rrogozhinas, duke rrezikuar të destabilizojë ekipin në garën për titull.

Erjon Halili argumentoi në emisionin "Ora Sport", në "Ora News", se mënyra e komunikimit ishte një gabim i rëndë.

Sipas tij, vendimi mund të ishte menaxhuar në dy mënyra logjike: ose ndërprerja e menjëhershme e marrëveshjes dhe emërimi i një trajneri të ri për të udhëhequr skuadrën në javët e mbetura, ose mbajtja e vendimit të fshehtë deri në përfundim të sezonit për të ruajtur qetësinë dhe fokusin.

Zgjedhja për ta bërë publik lajmin krijoi një situatë pa sens, ku ekipi ka një trajner që dihet se do të largohet, dhe i cili për më tepër nuk mund të ulet në pankinë për shkak të pezullimit.

Mbajtja e një konference shtypi për të njoftuar një largim që do të ndodhë pas disa muajsh u pa si një risi e pazakontë dhe e panevojshme për futbollin shqiptar.

Ky veprim thyen një rregull të pashkruar të diplomacisë dhe etikës në sport, ku edhe kur largimet janë të sigurta, ato nuk komunikohen zyrtarisht deri në mbyllje të sezonit për të mos dëmtuar moralin e skuadrës. Ndërkohë, ky vendim ka hedhur dritë edhe mbi spekulime të tjera.

Një nga dilemat kryesore është nëse trajneri Tetova u bë “kurbani” për incidentin e ndodhur në Rrogozhinë, ku skuadra e Egnatias u tërhoq nga fusha në sy të presidentit të FSHF-së. Fakti që presidenti i federatës ndodhej aty së bashku me presidentin e Egnatias e bën situatën edhe më delikate.

Mbetet pikëpyetje nëse “nxitimi” për të shpallur largimin e trajnerit ishte një lëvizje për të qetësuar organet drejtuese të futbollit pas atij “gjesti jo të përshtatshëm” nga ana e klubit.