Skënderbeu në Superiore, trajneri Gjoka zbulon se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tij
Skënderbeu është rikthyer zyrtarisht në elitën e futbollit shqiptar, Abissnet Superiore, një arritje që ka sjellë entuziazëm të madh në kampin korçar.
Në një intervistë në "Ora Sport", trajneri Ernest Gjoka ka folur për emocionet e këtij suksesi, rrugëtimin e vështirë dhe të ardhmen e tij në krye të pankinës bardhekuqe. Për teknikun, ky rikthim ishte plotësisht i merituar.
"Sigurisht që është një pritje shumë e mirë. Unë mendoj që Skënderbeu e meriton të jetë në Superligë," u shpreh ai, duke shtuar se beson se klubi do të jetë sërish elitar në futbollin shqiptar, ashtu siç ka qenë vite më parë.
Ai theksoi se ekipi nuk ka qenë aty ku i takon prej disa vitesh për shkak të situatave të ndryshme. Gjoka kujtoi momentin kur mori drejtimin e skuadrës, duke e cilësuar si një periudhë të vështirë.
"Në momentin që i jam afruar Skënderbeut, ishte një moment i vështirë," pranoi ai. Pavarësisht sfidave, skuadra arriti objektivin kryesor. "Ky vit ishte një vit i vështirë dhe mendoj që Skënderbeu me meritë është sot këtu dhe e meriton ky klub të jetë në Superligë."
I pyetur për të ardhmen e tij dhe nëse do të vazhdojë projektin me korçarët edhe në Superiore, trajneri preferoi të mbetet i rezervuar, duke e konsideruar si një diskutim të parakohshëm. "Mendoj që është herët akoma, ne jemi në garë. Ne kemi bërë vetëm 50% të punës," deklaroi Gjoka.
Ai theksoi se përpara janë edhe dy ndeshje të tjera dhe fokusi është te mbyllja e kampionatit me dinjitet. "Janë dy ndeshje që ne mendojmë dhe besoj se duhet t'i vlerësojmë dhe t'i bëjmë me dinjitetin që kemi treguar më parë."
Ndërsa e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë, për momentin vëmendja e plotë e trajnerit dhe e gjithë ekipit të Skënderbeut është te përfundimi sa më i mirë i sezonit aktual, duke respektuar garën deri në fund.
