Vendimi i papritur i Egnatias, Mërgjyshi: Si po ndikon 'divorci' para kohe tek kampionët
Ndërprerja e parakohshme e bashkëpunimit mes Egnatias dhe trajnerit të saj konsiderohet një risi e paprecedentë për futbollin shqiptar.
Ky zhvillim, i cilësuar si një lëvizje e nxituar nga pikëpamja teknike, shihet se po sjell pasoja negative për skuadrën kampione në një moment delikat të sezonit.
Për të folur më tepër për këtë temë, i ftuar në emisionin "Ora Sport", në "Ora News", ishte Artan Mërgjyshi.
Ai tha se mungesa e trajnerit, fillimisht si pasojë e një dënimi ku ai qëndronte në tribunë, dhe tani me largimin e plotë, ka krijuar një boshllëk autoriteti.
Ky boshllëk ka një impakt të drejtpërdrejtë psikologjik te lojtarët, të cilët tashmë nuk ndiejnë se kanë dikë në dhomat e zhveshjes që t'u kërkojë përgjegjësi.
Mungesa e llogaridhënies çon në humbje të përqendrimit dhe vigjilencës në fushë. Efektet e para të kësaj situate u panë qartë në ndeshjen e fundit kundër Flamurtarit.
Gjatë këtij takimi, skuadra e Egnatias shfaqi një nervozizëm të theksuar, i cili u manifestua përmes ndërhyrjeve të tensionuara dhe një performance të përgjithshme larg nivelit të pritshëm.
Kjo situatë, e para e këtij lloji në kampionatin vendas, ngre shqetësime serioze për të ardhmen e ecurisë së skuadrës.
Mendohet se ky veprim mund të ketë një impakt thellësisht negativ në performancën e rrogozhinasve, duke vënë në pikëpyetje stabilitetin dhe objektivat e tyre.
