Nga largimi i Tetovës te prapaskenat e kombëtares, flet Demi: Ja si trajtohen yjet e Superiores

Largimi i trajnerit Edlir Tetova nga stoli i Egnatias, pas një sezoni të suksesshëm të kurorëzuar me fitimin e kampionatit, është komentuar gjerësisht në opinionin sportiv.

Për Klaiv Demin, i cili ishte i ftuar në emisionin "Ora Sport" , kjo lëvizje nuk duhet parë si dramatike, por si “mbyllja e një faze”.

Sipas tij, Tetova arriti gjithçka me klubin rrogozhinas në garat vendase dhe largimi ishte një hap i natyrshëm pas një cikli të përmbushur.

Por përtej analizave të merkatos, diskutimi zbuloi detaje interesante nga prapaskenat e futbollit shqiptar, veçanërisht sa i përket menaxhimit mjekësor të lojtarëve.

Demi, i cili punon me ekipet kombëtare të moshave U-15 dhe U-16, tregoi se si funksionon struktura mjekësore e Federatës Shqiptare të Futbollit. Një pjesë kyçe e kësaj strukture është klinika e kombëtares, e cila nuk shërben vetëm për lojtarët kuqezi, por është kthyer në një qendër të rëndësishme rehabilitimi për shumë futbollistë të Superiores.

Lojtarë nga klube si Egnatia, Tirana dhe Dinamo frekuentojnë këtë klinikë për të marrë trajtimin e nevojshëm pas dëmtimeve. Kjo qendër mbështetet nga një staf i gjerë prej 12-13 fizioterapistësh.

Për rastet më të komplikuara dhe dëmtimet e rënda, stafi bashkëpunon ngushtë me mjekun italian të kombëtares, Gianluca Stesina, i cili kryen vizita specifike. U theksua se fundi i sezonit është një periudhë veçanërisht e ngarkuar, pasi problemet fizike dhe dëmtimet te lojtarët bëhen më të shpeshta, duke e vënë në qendër të vëmendjes punën e palodhur të stafit mjekësor.