EMRI/ Efektivi i ‘Shqiponjave’ në Fier çon në krim një të mitur për shpërndarje dr*ge, dërgohet në gjyq

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një punonjës policie të Njësisë së Posaçme “Shqiponja”, i identifikuar si Brian Dëma.

Ai akuzohet për prodhim dhe shitje narkotikësh, shpërdorim detyre dhe shtytje të një të mituri në krim.

Sipas hetimeve, polici ka shfrytëzuar detyrën dhe pozicionin e tij për të rekrutuar një nxënës të mitur, i cili kishte probleme familjare dhe varësi nga lëndët narkotike.

Fillimisht, i mituri është afruar për të dhënë informacione, por më pas është përdorur për shitjen e drogës.

Nga veprimet hetimore rezulton se polici ka vepruar me qëllim, duke shkelur detyrën dhe duke dëmtuar interesat e shtetit, rendin publik dhe vetë të miturin.

Çështja tashmë i kalon gjykatës, ndërsa autoritetet vijojnë ndjekjen penale për raste të tilla që përfshijnë abuzim me detyrën dhe shfrytëzim të të miturve.