Zjarri te kompleksi i Armand Lilos mbetet “jetim”! Gjykata liron të ndaluarit për shkrumbimin e pallatit. Ja VENDIMI

Gjykata ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për personat e ndaluar pas zjarrit në kompleksin “Arlis” në zonën e 5 Majit.

Para gjykatës dolën persona që lidhen me ndërtimin dhe administrimin e pallatit që u përfshi nga flakët pranë QSUT-së.

Mes tyre janë inxhinieri Enver Ademi, kontraktori i fasadës Altin Furtuna, menaxherja e një marketi në godinë Razie Sula dhe administratori i pallatit Agron Cara.

Të njëjtën masë kishte kërkuar edhe prokuroria.

Të ndaluarit janë lënë të lirë dhe do të duhet të paraqiten rregullisht pranë autoriteteve.

Gjatë seancës, avokatët e tyre kanë paraqitur qëndrimin se zjarri dyshohet të ketë nisur nga disa fëmijë, ndërsa kjo mbetet për t’u verifikuar nga hetimet.

Zjarri shkaktoi dëme të mëdha, duke shkrumbuar pothuajse të gjithë pallatin dhe duke ngritur dyshime mbi kushtet e sigurisë në objekt.

Hetimet vijojnë për të sqaruar shkaqet dhe përgjegjësitë për ngjarjen.