ZJARRI APOKALIPTIK NË KOMPLEKSIN 'ARLIS'/ Sigurimet marrin 270 mln €, kthejnë vetëm 86 mln €. Kush fiton nga fatkeqësitë?
Debati për mënyrën se si duhet të kompensohen dëmet nga zjarri që dogji një pallat në Tiranë ka hapur një çështje më të gjerë. A është më e leverdishme të mbështetesh te sigurimet private apo te ndihma nga shteti?
Kryeministri Edi Rama ka hedhur idenë që në raste të tilla dëmet të mbulohen nga sigurimet, duke përjashtuar mbështetjen direkte nga buxheti i shtetit.
Por analiza e tregut të sigurimeve tregon një realitet tjetër.
Të dhënat tregojnë se qytetarët paguajnë shumë më tepër për sigurime sesa përfitojnë në rast dëmesh. Gjatë vitit të fundit, shqiptarët kanë paguar rreth 270 milionë euro për sigurime, ndërsa kompanitë kanë kthyer vetëm 86 milionë euro si dëmshpërblime.
Diferenca përfshin kostot e administrimit dhe fitimet e kompanive.
Edhe në rastin e sigurimit të pronës nga zjarri, raporti mbetet i ulët.
Nga miliarda lekë të paguara në prime, vetëm rreth 20% kthehen si kompensim për dëme. Kjo do të thotë se për të mbuluar një dëm të madh, si ai i një pallati të djegur, qytetarët do të duhet të paguajnë shumëfish më tepër për sigurime.
Nga ana tjetër, ndihma nga buxheti i shtetit mund të rezultojë më pak e kushtueshme për shoqërinë në tërësi, pasi shpërndahet mes taksapaguesve dhe nuk përfshin fitime private.
Megjithatë, edhe kjo mënyrë nuk është pa probleme, pasi shpesh shoqërohet me kosto nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni.
Në fund, dilema mbetet e hapur. A është më e leverdishme të paguhet përmes sigurimeve private apo përmes taksave, në një sistem ku të dyja alternativat kanë kosto të larta për qytetarët?/BIRN

