(MASAT+EMRAT) Mashtruan gjermanët duke i zhvatur 363 mijë €/ Gjykata cakton masat për të pandehurit, organizatori pas hekurave

Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për disa persona të përfshirë në një skemë mashtrimi përmes Call Center.

Në burg është lënë Kristjan Buda, i identifikuar si menaxher i sallës së Call Center-it. Ndërsa në “arrest në shtëpi” janë vendosur Benard Biba, Arber Kalaja, Kleidi Dyrma dhe Eno Hana.

Për dy persona të tjerë, Ema Taipi dhe Kristjana Shara, është vendosur ndalim i daljes jashtë vendit dhe detyrim për t’u paraqitur pranë autoriteteve.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 8 persona të tjerë të akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Në këtë listë janë Emiljano Sejdillari, Sokol Krasniqi, Rodrigo Guga, Eltion Logu, Tafil Dyrmishi, Lisjane Çulani, Klejdi Nuka dhe Mateo Llozhi.

Hetimi ka nisur pas një kërkese nga autoritetet gjermane, lidhur me një rast mashtrimi ndaj një qytetareje në Freiburg, të cilës iu kërkuan 120 mijë euro. Paratë u bllokuan në kohë dhe më pas u zbulua rrjeti.

Sipas dosjes, të dyshuarit përdornin teknologji si fshehja e numrit të telefonit, VoIP dhe VPN për të mashtruar qytetarë në Gjermani. Gjurmimi i adresave IP çoi në identifikimin e lidhjeve në Shqipëri.

Gjatë kontrolleve është zbuluar edhe një qendër thirrjesh në rrugën “Hamdi Sina” në Tiranë, ku janë sekuestruar pajisje dhe prova digjitale.

Dëmi i dokumentuar për 14 persona në Gjermani arrin në rreth 363 mijë euro, ndërsa disa tentativa të tjera janë ndaluar para se të kryheshin. Një nga të dyshuarit është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë.