EMRAT+AKUZAT/ Burg dhe sekuestrime - SPAK jep pretencën për ish-krerët e ARRSH-së, Berberi e Gjyli dhe 23 të pandehurit e tjerë

SPAK ka dhënë pretencën për ish-drejtues të institucioneve publike, të përfshirë në një dosje që lidhet me shkelje të barazisë në tendera dhe procedura prokurimi.

Në qendër të çështjes janë ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, dhe ish-drejtori tjetër i këtij institucioni, Gentian Gjyli.

Procesi ndaj tyre po zhvillohet me gjykim të shkurtuar.

Për Berberin kërkohet dënim me 10 vite burg, për disa akuza që përfshijnë pesë episode të shkeljes së barazisë në tendera, gjashtë raste korrupsioni pasiv dhe një episod pastrimi parash. Me uljen e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar zbret në rreth 6.8 vite burg.

Për Gjylin, SPAK kërkon 1.6 vite burg për dy episode të shkeljes së barazisë në tendera, si dhe ndalim për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Në të njëjtën dosje përfshihet edhe ish-drejtori i KESH-it, Erald Elezi, për të cilin është kërkuar 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera. Me uljen për gjykim të shkurtuar, dënimi reduktohet, ndërsa kërkohet edhe heqja e të drejtës për funksione publike për 5 vite.

Në këtë proces janë të përfshirë edhe rreth 20 persona të tjerë, për të cilët janë paraqitur konkluzionet përfundimtare.

Po ashtu, kërkohet konfiskimi i shumave të parave të sekuestruara në banesën e Berberit.

Çështja lidhet me disa procedura prokurimi, ku dyshohet se është cenuar konkurrenca dhe barazia mes operatorëve ekonomikë.

Konkluzionet për një nga dosjet më të mëdha që lidhen me shkelje të barazisë në tendera dhe abuzime me procedurat e prokurimit publik.

Dosja përbëhet nga rreth 520 faqe dhe përfshin dhjetëra persona, zyrtarë dhe përfaqësues biznesi.

Sipas akuzës, në këtë çështje rezulton bashkëpunim mes disa personave, mes tyre Ervis Lami dhe Brunilda Buli, si dhe përfshirje e subjekteve juridike “Net Group” dhe “DAAM”.

Në qendër të dosjes është ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, për të cilin kërkohet dënim me 10 vite burg në total për disa episode të shkeljes së barazisë në tendera, korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Me gjykim të shkurtuar, dënimi zbret me një të tretën. Për të kërkohet edhe ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite. Po ashtu kërkohet konfiskimi i shumave të sekuestruara në banesën e tij, përfshirë para në euro, paund dhe lekë.

Për Ervis Lami kërkohet dënim që në total arrin në 7 vite e 6 muaj burg për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, me ulje për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe pezullim të pjesës së mbetur me shërbim prove.

Ndërkohë, për ish-drejtorin tjetër të ARRSH, Gentian Gjyli, kërkohet 1 vit e 6 muaj burg për shkelje të barazisë në tendera, me ulje 1/3 dhe heqje të së drejtës për funksione publike për 3 vite.

Edhe për ish-drejtorin e KESH, Erald Elezi, kërkohet 1 vit e 6 muaj burg për të njëjtën vepër penale, me ulje për gjykim të shkurtuar dhe ndalim për funksione publike.

Në listën e të pandehurve janë edhe shumë emra të tjerë, për të cilët kërkohen dënime nga 1 vit deri në 2 vite burg, në disa raste të shoqëruara me akuza për falsifikim dokumentesh apo shpërdorim detyre. Për pjesën më të madhe kërkohet pezullim i dënimit me shërbim prove ose punë në interes publik, si dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare.

Në këtë proces është edhe Valter Begaj, i cili po gjykohet me procedurë të zakonshme.

Çështja lidhet me disa procedura prokurimi ku, sipas SPAK, është cenuar konkurrenca dhe barazia mes operatorëve ekonomikë, duke krijuar përfitime të padrejta.