(VIDEO) Grabitje banke si në filma në Itali/ 25 pengje, autorët zhduken përmes kanalizimeve
Një grabitje e rëndë ka ndodhur në Itali, në një degë të Credit Agricole në zonën Piazza Medaglie d’Oro, ku disa persona të armatosur kanë marrë peng rreth 25 persona, mes klientëve dhe punonjësve.
Ngjarja ka shkaktuar panik, ndërsa në vend kanë mbërritur forcat speciale të karabinierëve, të cilat kanë hyrë në ambientet e bankës për kontroll. Kur ndërhyrja ka nisur, autorët nuk ndodheshin më brenda.
Nga të dhënat e para, dyshohet se grabitësit janë larguar përmes kanalizimeve. Ata kishin hapur një vrimë në dyshemenë e bankës gjatë natës dhe e kanë përdorur atë si rrugë arratisjeje. Policia po kontrollon rrjetin e kanalizimeve në zonë për të gjetur gjurmë të tyre.
Të gjithë personat e marrë peng janë liruar. Askush nuk ka pësuar lëndime serioze, ndërsa disa prej tyre kanë marrë ndihmë mjekësore për shkak të frikës dhe tronditjes.
Dyshohet se autorët kanë marrë kasetat e sigurisë së bankës, por ende nuk dihet sa është shuma e grabitur.
Në vendngjarje ka qenë edhe prokurori i Napolit, Nicola Gratteri, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

