"Vetëm 6 javë karburant për avionët"/ Drejtori i Agjencisë së Energjisë: Europa rrezikon të mbetet pa fluturime
Europa mund të përballet shumë shpejt me probleme serioze në furnizimin me karburant për avionë. Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, paralajmëron se rezervat aktuale mund të zgjasin vetëm rreth gjashtë javë, nëse situata në Lindjen e Mesme nuk ndryshon.
Shkaku kryesor lidhet me tensionet dhe luftën në Iran, që kanë bllokuar kalimin në Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.
Rreth 20% e naftës globale kalon përmes kësaj ngushtice, ndaj çdo ndërprerje ndikon drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare.
Sipas Birol, nëse kalimi nuk hapet brenda javëve të ardhshme, priten anulime fluturimesh në Europë për shkak të mungesës së karburantit. Situata mund të përkeqësohet më tej me rritje të çmimeve të benzinës, gazit dhe energjisë elektrike.
Pasojat nuk do të ndihen njësoj për të gjitha vendet. Më të goditurat pritet të jenë ekonomitë në zhvillim, sidomos në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. Megjithatë, ndikimi do të prekë gjithë botën, pasi asnjë vend nuk është i mbrojtur nga një krizë e tillë.
Nëse kriza zgjat, rreziku shkon përtej energjisë. Sipas paralajmërimeve, shumë vende mund të përballen me inflacion të lartë dhe ngadalësim ekonomik, madje edhe recesion në disa raste.
Situata bëhet më e ndërlikuar edhe nga dëmtimet në infrastrukturën energjetike në rajonin e Gjirit Persik. Dhjetëra objekte janë dëmtuar dhe rikthimi në nivelet normale të prodhimit mund të marrë muaj, madje deri në dy vite.
Ndërkohë, dhjetëra anije me naftë dhe gaz presin të kalojnë, por kjo nuk mjafton për të zbutur krizën nëse bllokada vazhdon.

