Trump zhvillon telefonatën e parë me Presidentin e Libanit, kreu libanez kërkon ndaljen e armiqësive

Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Libanit Joseph Aoun, në një moment kur përpjekjet për armëpushim në rajon janë shtuar.
Kjo është hera e parë që dy udhëheqësit komunikojnë drejtpërdrejt, që pas marrjes së detyrës nga Aoun në janar të vitit të kaluar.
Gjatë telefonatës, presidenti libanez ka shprehur vlerësimin për angazhimin e SHBA-ve në drejtim të ndalimit të përplasjeve dhe arritjes së një paqeje të qëndrueshme në vend.
Ai ka kërkuar që armiqësitë të ndalen sa më shpejt, duke e konsideruar situatën urgjente për stabilitetin e vendit. Nga ana tjetër, Trump ka dhënë mbështetjen për Libanin dhe ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në arritjen e një armëpushimi.
Kjo telefonatë vjen në një kohë kur lëvizjet diplomatike janë intensifikuar. Vetëm pak ditë më parë, përfaqësues të Izraelit dhe Libanit zhvilluan bisedime në Uashington, një hap që nuk ishte ndërmarrë që prej vitit 1993.

