DREJT KUTIVE TE VOTIMIT! Zgjedhje të dielën, Bullgaria përballet me situatë të tensionuar

Qytetarët në Bullgari do t'i drejtohen sërisht kutive të votimit të dielën në një klimë të rënduar me akuza për blerje votash, presion politik dhe klientelizëm. Pavarësisht masave të qeverisë dhe rritjes së monitorimit, ekspertët paralajmërojnë se manipulimet mbeten sistemike dhe të vështira për t’u eliminuar.

Bullgaria po hyn në një tjetër cikël zgjedhor të tensionuar, teksa të dielën zhvillohen zgjedhjet e teta parlamentare brenda vetëm pesë viteve.

Kjo paqëndrueshmëri politike ka nxitur lodhje të thellë tek qytetarët dhe ka rritur shqetësimet për integritetin e procesit zgjedhor.

Në qendër të garës politike është ish-presidenti Rumen Radev, i cili ka hyrë në politikën parlamentare me partinë “Progressive Bulgaria”. Ai kryeson sondazhet me rreth 30% të mbështetjes, duke u pozicionuar si figurë anti-korrupsion dhe mbrojtës i zonave rurale, ku pakënaqësia ndaj elitave politike është më e fortë.

Rivali kryesor i tij është partia në pushtet GERB, e lidhur me ish-kryeministrin Boyko Borisov.

Sondazhet tregojnë se asnjë parti nuk pritet të fitojë shumicë absolute, duke e bërë të pashmangshme formimin e një koalicioni të brishtë.

Sipas raportimeve dhe autoriteteve lokale, manipulimi zgjedhor në Bullgari nuk është fenomen i ri, por një praktikë e rrënjosur prej dekadash.

Metodat e ndikimit përfshijnë blerje votash me shuma nga 50 deri në 100 euro, presione ndaj votuesve në zonat rurale, madje edhe kërcënime indirekte si ndërprerja e furnizimit me dru për ngrohje për familjet që varen prej tij.

Gjithashtu, raportohet se disa punëdhënës ushtrojnë presion për votim të koordinuar të punonjësve.

Qeveria kujdestare ka premtuar zgjedhje më të pastra dhe ka ngritur një njësi të posaçme për monitorim, si dhe një linjë telefonike për raportimin e parregullsive. Megjithatë, autoritetet pranojnë se eliminimi i plotë i manipulimeve është pothuajse i pamundur.

Ministria e Brendshme ka raportuar mbi 1,000 shkelje zgjedhore dhe mbi 180 arrestime në periudhën para votimeve.

Këto shifra janë disa herë më të larta se në zgjedhjet e mëparshme, duke treguar intensifikim të kontrollit policor dhe denoncimeve publike.

Organizata “Anti-Corruption Fund” vlerëson se 10% deri në 15% e votave mund të jenë të rrezikuara nga ndikimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë.

Sipas tyre, problemi nuk kufizohet vetëm në ditën e votimit, por lidhet me një sistem klientelist.