Nga trafikant droge në “ndërtues VIP”, si Armando Lilo bleu heshtjen e sistemit në Tiranë
Zjarri që përfshiu pallatin e tij në Tiranë dhe shpallja në kërkim nga policia nuk janë një histori e izoluar. Janë vetëm maja e ajsbergut të një rruge të gjatë dhe të dyshimtë që lidhet me emrin e Armando Lilos, një figurë që për vite ka operuar mes hijes së sistemit dhe dritës së biznesit.
Armando Lilo nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Ai rezulton i dënuar në Itali për trafik droge, një e kaluar që, në vend që ta ndalte, duket se u shndërrua në pikënisjen e një transformimi të shpejtë sapo u rikthye në Shqipëri. Brenda pak kohësh, ai hyri në sektorin e ndërtimit, duke u prezantuar si biznesmen dhe duke u kthyer në një nga ndërtuesit më aktivë në Tiranë.
Por rritja e tij nuk ka qenë pa probleme. Ai është proceduar për ndërtim pa leje, përfshirë ngritjen e 7 kateve në mes të Tiranës pa autorizim. Në një tjetër rast, skeletet e një ndërtimi të kompanisë së tij u rrëzuan, duke plagosur dy kalimtarë, një sinjal i fortë për mungesën e standardeve të sigurisë në projektet që mbanin emrin e tij.
Nga informacionet e MaShqip, pak muaj më parë, një tjetër incident në një nga kantieret e tij ngriti shqetësime serioze për mënyrën si operon ky rrjet ndërtimi. Ndërkohë, ai është kallëzuar edhe për dhunë në një zonë të njohur si Yzberisht, duke shtuar më shumë pikëpyetje mbi profilin e tij real.
Gjithashtu, emri i Lilos doli edhe te rasti i njohur i kapjes së Orest Sota në Elbasan. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, Sota u ndalua duke drejtuar një mjet tip “Range Rover”, i cili rezultoi në pronësi të Armando Lilos. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën rreth 863 mijë euro cash, si dhe dy patenta për mjete lundruese të tonazhit të rëndë në emër të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Megjithatë, ajo që e bën rastin e tij edhe më të rëndë nuk janë vetëm këto episode, por mënyra se si ai arriti të ndërtojë një “mburojë” të fortë ndaj ligjit. Sipas burimeve dhe asaj që përflitet prej kohësh në Tiranë, Lilo ka përdorur një skemë të njohur: shitjen e apartamenteve në ndërtesat e tij me çmime shumë të ulëta për përfaqësues të drejtësisë dhe politikës. Prokurorë, gjyqtarë, deputetë dhe zyrtarë të ndryshëm rezultojnë të kenë blerë prona në projektet e tij, një praktikë që, sipas kritikëve, ka garantuar heshtje dhe mbrojtje institucionale.
Kjo është edhe arsyeja pse, pavarësisht problemeve të shumta, ai ka arritur të vazhdojë aktivitetin pa u ndalur. Madje, thuhet se ai ka përfituar edhe prona të bashkisë me vendime të drejtpërdrejta nga drejtues vendorë gjatë kohës kur Tirana drejtohej nga Erion Veliaj, duke ngritur dyshime për favore dhe marrëdhënie të fshehta.
Në planin e lidhjeve personale, ai përmendet si kushëri i bashkëshortes së Fatmir Xhafaj, lidhje që sipas burimeve e ka përdorur për t’u prezantuar si “kunat” në qarqe të ndryshme dhe për të rritur ndikimin e tij në nivele të larta.
Ndikimi i tij ekonomik shkon përtej ndërtimit. Lilo raportohet të jetë bashkë-ortak me një bankë të nivelit të dytë dhe i përfshirë në një sërë biznesesh të tjera në Tiranë, ndërsa në Pogradec ka zhvilluar edhe një kompleks banimi, duke konsoliduar një rrjet të gjerë aktivitetesh.
Por ndoshta elementi më shqetësues në këtë histori është heshtja. Edhe pse ngjarja e zjarrit u raportua nga shumë media, një pjesë e tyre shmangën përmendjen e emrit të tij. Kjo, sipas vëzhguesve, nuk është rastësi, por pasojë e ndikimit ekonomik dhe lidhjeve që ai ka ndërtuar ndër vite.
Armando Lilo është shembulli tipik i një fenomeni më të gjerë: transformimi i individëve me të kaluar kriminale në figura të fuqishme ekonomike, të mbrojtura nga lidhjet me politikën dhe drejtësinë.
Zjarri në pallatin e tij nuk është vetëm një ngjarje, është një alarm për një sistem ku ligji shpesh vjen me vonesë. Dhe një pyetje që mbetet pezull: sa të tjerë si ai operojnë ende në heshtje?/Mashqip
