“Shqiptarët nuk e fshehin më origjinën”/ Deputeti shqiptar i parlamentit suedez: Nuk shihet më si vend i mbyllur, por si destinacion turistik

Deputeti i Parlamentit suedez, Arbër Gashi, ka folur në një intervistë për Ora News gjatë Samitit të Diasporës, ku ai ka treguar për ndryshimin e imazhit të Shqipërisë dhe mënyrën si perceptohen shqiptarët sot.

Ai u ndal te ndryshimi që ka ndodhur vitet e fundit në vetëbesimin e shqiptarëve, duke thënë se sot ata nuk e shmangin më identitetin e tyre, por e shprehin me krenari.

“Sot shqiptari nuk ec më me kokën poshtë, por me kokën lart. Nuk i shmanget pyetjes ‘nga je’. Të qenurit shqiptar nuk është më diçka e dobët apo negative,” u shpreh ai.

Sipas tij, ka ndryshuar edhe mënyra si shihet Shqipëria jashtë vendit. Ajo nuk lidhet më me izolimin e së kaluarës, por me turizmin, detin dhe mundësitë për pushime.

Shqipëria sot është diell, det dhe pushime. Edhe suedezët janë shumë kuriozë ta vizitojnë,” tha ai.

Gashi e përshkroi vendin si një destinacion që ende ruan natyrën dhe autenticitetin, ndërsa shtoi se interesi pritet të rritet edhe më shumë në të ardhmen.

“Shqipëria është si një perlë e paprekur. Ditën që futet në Bashkimin Europian, turizmi do të rritet edhe më shumë,” tha ai.