Tronditje në botën e showbiz-it: Katy Perry nën hetim pas akuzave nga Ruby Rose për ...

Policia australiane ka nisur një hetim ndaj këngëtares së njohur Katy Perry, pas akuzave për sulm seksual të bëra nga aktorja australiane Ruby Rose.

Sipas mediave ndërkombëtare, Rose, 40 vjeçe, ka pretenduar se incidenti ka ndodhur në vitin 2010, gjatë një daljeje në klubin e natës Spice Market në qendër të Melburnit. Pas paraqitjes së një ankese zyrtare nga aktorja, policia e shtetit të Victoria-s ka konfirmuar se hetimet janë në zhvillim.

Zyrtarët e policisë kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një rast historik të dyshuar për sulm seksual që ka ndodhur në një ambient publik në Melburn, ndërsa për shkak të hetimeve në vijim nuk janë dhënë detaje të tjera.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ruby Rose ka deklaruar se tashmë ka dorëzuar të gjitha raportet dhe se nuk mund të flasë më publikisht për rastin derisa hetimet të përfundojnë. Ajo shtoi se ky është një proces standard dhe se shpreson të nisë një proces shërimi personal.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Katy Perry kanë mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra të rrezikshme dhe të papërgjegjshme”.

Sipas deklaratës së ekipit të këngëtares, pretendimet e bëra nga Ruby Rose në rrjetet sociale janë të pavërteta dhe janë mohuar vazhdimisht nga personat ndaj të cilëve ajo ka ngritur akuza edhe në të kaluarën.

Aktualisht, hetimet nga autoritetet australiane vijojnë, ndërsa pritet që zhvillimet e mëtejshme të hedhin më shumë dritë mbi këtë rast që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.