Dialog parlamentar për gjuhën e urrejtjes, BE: Ndryshimet ligjore të zbatohen në praktikë

Përmirësimi i kuadrit ligjor kundër racizmit dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe përafrimi i tij me standardet europiane, ishte në fokus të tryezës me temë “Dialogu Parlamentar të Nivelit të Lartë” të zhvilluar sot në Kuvendin e Shqipërisë.

Takimi u organizua nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës dhe Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve, diplomacisë, shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës.

Në fjalën e saj, përfaqësuesja e Këshillit të Evropës, Gulia Re, theksoi rëndësinë e reformave gjithëpërfshirëse dhe nevojën që ndryshimet ligjore të mos mbeten vetëm në letër.

“Është thelbësore të kalojmë nga miratimi i ligjeve në zbatimin e tyre konkret. Ndryshimet duhet të reflektohen drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, u shpreh ajo.

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku e cilësoi tryezën si një hap të rëndësishëm për nisjen e një debati të strukturuar mbi një studim dhe analizë lidhur me gjuhën e urrejtjes në Shqipëri. Ajo theksoi se forcimi i kuadrit ligjor është i lidhur ngushtë me procesin e integrimit europian, veçanërisht me kapitullin 23 të negociatave.

“Procesi i integrimit nuk është vetëm teknik. Ai është politik, shoqëror dhe mbi të gjitha moral. Është një kontratë me qytetarët për garantimin e të drejtave të tyre”, u shpreh Tabaku. Sipas saj, sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjeve në praktikë.

“Sado të përmirësojmë kuadrin ligjor, nëse nuk arrijmë ta zbatojmë atë, ndryshimet do të mbeten formale dhe nuk do të ndikojnë në jetën reale”, theksoi ajo. Duke iu referuar gjetjeve të raportit, Tabaku nënvizoi se, ndonëse në dokumente mund të evidentohet progres, në realitet shumë nga të drejtat themelore dhe fenomeni i gjuhës së urrejtjes mbeten ende problematike.

Nga ana e saj, Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi u ndal te përjetimi konkret i diskriminimit dhe dhunës, veçanërisht në hapësirën digjitale. Ajo solli në vëmendje miratimin e ligjit për barazinë gjinore, duke e cilësuar si një hap pozitiv, por theksoi se sfidat mbeten në zbatim.

“Dhuna online nuk është virtuale. Ajo depërton në familjet tona dhe ndikon drejtpërdrejt në ndjenjën e sigurisë, sidomos te fëmijët. Qëllimi i saj nuk është vetëm të lëndojë, por edhe të imponojë heshtjen”, u shpreh Luarasi. Sipas saj, dezinformimi luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e gjuhës së urrejtjes.

“Dezinformimi ushqen paragjykimin dhe paragjykimi çon në kërcënime”, theksoi ajo.

Përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Andre Rizzo, u shpreh se diskutimi zhvillohet në një institucion kyç të demokracisë.

“Jemi në Kuvendin e Shqipërisë, në zemër të qeverisjes demokratike, ku të drejtat themelore përkthehen në ligje dhe standarde për një shoqëri më gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Rizzo theksoi se racizmi dhe gjuha e urrejtjes kanë pasoja konkrete në shoqëri. “Ato nuk janë koncepte abstrakte. Sjellin dëme reale, dobësojnë kohezionin social dhe cenojnë të drejtat themelore të njeriut”, u shpreh Rizzo.

Përfaqësuesi i BE-së në vendin tonë rikujtoi se të drejtat e njeriut janë një nga parimet themelore të Bashkimit Europian dhe janë të sanksionuara në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke shtuar se ato janë thelbësore në kapitullin 23 të negociatave.

Ndërkohë, Avokati i Popullit Endri Shabani solli në vëmendje të dhëna konkrete nga studimi, sipas të cilave 97% e qytetarëve shqiptarë e njohin termin “gjuhë e urrejtjes”.

Shabani theksoi se mbetet një mungesë e qartë në dallimin mes gjuhës së urrejtjes dhe fyerjeve të zakonshme. “Përmbushja e standardeve të BE-së nuk është një formalitet, por një vijë ndarëse mes një shoqërie demokratike dhe një shoqërie të dhunshme”, u shpreh Shabani.

“Statistikat tregojnë se 97% e qytetarëve shqiptarë e njohin termin ‘gjuhë urrejtjeje’ dhe ky është një lajm i mirë. Por përtej kësaj, vihet re se shumica dërrmuese nuk bën dallimin mes gjuhës së urrejtjes dhe një fyerjeje të rëndomtë. Përmbushja e standardeve të Kapitullit 23 për në BE nuk është thjesht një ‘detyrë shtëpie’, por një vijë e kuqe që ndan një shoqëri të qytetëruar nga një shoqëri e dhunshme. Misioni ynë, si institucion i Avokatit të Popullit, është që të mos jemi vetëm një zyrë që arkivon ankesat, por një garant i vërtetë i të drejtave të njeriut”, tha Shabani.

Nga ana tjetër, Dorian Matlia, drejtues i një organizate të shoqërisë civile, prezantoi gjetjet rajonale të studimit, duke theksuar se në të gjitha vendet ekzistojnë garanci kushtetuese për mosdiskriminim.

Sipas tij, këto garanci janë në përputhje të gjerë me acquis të BE-së dhe instrumentet e Këshillit të Europës, por sfidat kryesore lidhen me zbatimin.

“Disa sfida të përsëritura shfaqen në të gjithë vendet janë se ekzistojnë hendeqe në zbatim. Zbatimi i ligjeve është shpesh i paqëndrueshëm dhe aksesi në mjetet juridike mbetet i kufizuar në praktikë. Përgjegjësitë institucionale janë shpesh të fragmentuara. Shumë organe nuk kanë mekanizma të fortë koordinimi, duke çuar në mbivendosje dhe ulje të koherencës së politikave. Ka mungesë të të dhënave të besueshme, të ndara sipas kritereve të barazisë, veçanërisht sipas origjinës racore ose etnike. Kjo kufizon aftësinë e institucioneve për të hartuar politika të bazuara në evidenca dhe për të vlerësuar diskriminimin”, vijoi Metalia, ndërsa theksoi se mosdiskriminimi nuk trajtohet përmes strategjive të dedikuara dhe të pavarura, por përfshihet në kuadër të strategjive për të drejtat e njeriut, përfshirjen sociale dhe mbrojtjen e pakicave.