VIDEO-DENONCIMI/ Deputeti Korreshi publikon pamjet alarmante: Reparti zjarrfikës në Lushnjë me ambiente të amortizuara, larg çdo lloj standardi dhe funksioni
Pas zjarrit të një dite më parë në kompleksin “Arlis” në Tiranë, një tjetër problem serioz është denoncuar mëngjesin e sotëm nga deputeti Saimir Korreshi, i cili ka publikuar pamje nga reparti zjarrfikës në Lushnjë.
Në videon e bërë publike, shfaqen kushte të degraduara të ambienteve të repartit, duke ngritur shqetësime të forta mbi gatishmërinë dhe kapacitetet reale për përballimin e emergjencave.
Pamjet tregojnë një godinë të amortizuar, me mure të dëmtuara dhe infrastrukturë të lënë pas dore. Oborri siç shihet nga pamjet të jep ndjesinë e një mjedisi të frikshëm, me bar të rritur dhe mbetje të shpërndara, ndërsa mjetet dhe pajisjet janë të vjetruara dhe krejtësisht jashtë funksionit.
Ky denoncim vjen vetëm pak orë pas një prej zjarreve më shqetësuese në kryeqytet, duke rikthyer në vëmendje gjendjen e shërbimeve zjarrfikëse në vend dhe mungesën e investimeve në një sektor jetik për sigurinë e qytetarëve.
Situata e paraqitur ngre pikëpyetje serioze mbi standardet dhe reagimin në raste emergjence, duke e kthyer këtë çështje në një alarm publik që kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.
