Si u kalua nga zhvillimi i portit te kullat dhe jahtet? Kalaja akuza për pazar politik dhe dëm prej 2.4 mld eurosh. Ja ku futet Basha

Një sërë dokumentesh dhe faktesh të reja hedhin dritë mbi prapaskenat e projektit kontrovers të Portit të Durrësit, duke ngritur akuza të rënda për një marrëveshje të fshehtë politike, shkelje ligjore dhe një dëm ekonomik që arrin në miliarda euro për shtetin shqiptar.

E ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, avokatja Adriana Kalaja denoncoi transformimin e projektit nga një marrëveshje fillestare e vitit 2020, e cila parashikonte vetëm zhvillimin e portit ekzistues, në një projekt masiv imobiliar me kulla dhe një port jahtesh.

Marrëveshja e parë, tha Kalaja, e përbërë nga vetëm gjashtë nene, nuk përmendte në asnjë pikë ndërtimin e kullave apo një marine jahtesh, elementë që përbëjnë thelbin e projektit aktual.

Sipas të dhënave të bëra publike nga avokatja, marrëveshja ndërshtetërore me Emiratet e Bashkuara Arabe ishte lidhur për llogari të kompanisë prestigjioze shtetërore "Emaar".

Megjithatë, në mënyrë të dyshimtë, kjo kompani u zëvendësua nga një firmë e quajtur "Symphony", e regjistruar me një kapital prej vetëm 10,000 lekësh. Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se administratori i kësaj kompanie të re ishte njëkohësisht edhe administrator i kompanive të lidhura me ish-kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.

Për më tepër, Kalaja pretendoi se një staf prej gjashtë personash, përfshirë kunatin e Bashës, Erjon Isufi, ishin të punësuar pranë kompanisë "Symphony", e cila kishte regjistruar selinë e saj brenda territorit të Portit të Durrësit.

Këto zhvillime janë cilësuar nga Kalaja si një "pazar i pistë prapa kuintave" dhe një "blerje e opozitës", që ka çuar në një aferë me përmasa antikombëtare.

Dëmi financiar është një tjetër aspekt tronditës i kësaj çështjeje. Kompanisë investitore i është falur një sipërfaqe toke prej 1.2 milionë metra katrorë.

Duke marrë për bazë një vlerë minimale prej 2,000 euro për metër katror në atë zonë, dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit llogaritet të jetë të paktën 2.4 miliardë euro, pa përfshirë këtu vlerën e paçmueshme historike të një porti 3,000-vjeçar.

Paralelisht, projekti për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është shoqëruar me mungesë transparence dhe kosto në rritje. Nga një premtim fillestar për kosto zero, fatura e ndërtimit ka arritur shifrën 2.2 miliardë euro, ndërkohë që nuk është kryer asnjë studim fizibiliteti serioz për këtë investim strategjik.

Në nivel ligjor, afera konsiderohet një shkelje flagrante e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe e neneve 4 dhe 11 të Kushtetutës, të cilat kërkojnë garë të hapur dhe të barabartë për projekte të tilla. Këto shkelje kanë sjellë si pasojë bllokimin e granteve nga Bashkimi Evropian, duke dëmtuar më tej interesat publike dhe kombëtare.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË